Turqia është kualifikuar për në çerekfinalen e Euro 2024, pasi mundi 2-1 Austrinë në fazën e 1/8-ave. Demiral ishte protagonist i skuadrës turke me dy gola, që i dhanë një rezultat të jashtëzakonshëm ekipit të trajnerit Vincenzo Montella.
“Përgëzoj nga zemra kombëtaren tonë të futbollit, i uroj suksese “fëmijëve tanë” në rrugën e kampionatit”. Kështu u shpreh sot presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan për ekipin e tij kombëtar të futbollit, që vijon rrugëtimin e tij në Europian.
Nga ana e tij, trajneri italian Vincenzo Montella, u shpreh: “Ne barazuam vitin 2008 për sa i përket fitoreve. Kjo ndaj Austrisë ishte një ndeshje shumë e rëndësishme”.
“Deri në minutën e fundit treguam shpirtin tonë të ekipit dhe jam shumë i lumtur për lojtarët e mi. Jemi krenarë për këtë rezultat”, tha më tej trajneri italian, që prej një viti është në këtë detyrë.
Në çerekfinale, Turqia do të përballet me Holandën, një tjetër sfidë e vështirë: “Tani ne do të mbledhim energjinë tonë dhe do të mendojmë për Holandën. Le të ëndërrojmë të shkojmë sa më larg, por fillimisht duhet të luajmë mirë”.