Është “kanakari” i Guardiolës, Manchester City blindon “bishën” e mesfushës

12 Korrik 2022
15:18
Alfred Lleshi
back button

Manchester City e ka zyrtarizuar. Rodrigo Hernández do të luajë për “qytetarët” deri në vitin 2027. Klubi britanik ka konfirmuar vazhdimin e kontratës së mesfushorit edhe për tri sezone të tjera.

Mesfushori, i cili mbërriti te City në verën e vitit 2019, ka bërë 151 paraqitje në tri sezonet e tij në “Etihad”, si dhe 33 ndeshje për kombëtaren spanjolle.

“Të bashkohesha me City në vitin 2019 ishte vendimi më i mirë që kam marrë në karrierën time, – tha futbollisti spanjoll. – E kam shijuar çdo sekondë këtë eksperiencë. Tifozët kanë qenë të jashtëzakonshëm me mua, ndihem plotësisht i mbështetur nga klubi dhe trajneri më ndihmon çdo ditë”.

Pas nënshkrimit të kontratës së re, Rodri kishte fjalë lavdëruese për Guardiolën: “Jam përmirësuar shumë si lojtar dhe dua të falënderoj Pep e gjithë stafin e trajnerëve për ndihmën e tyre. Ata janë plotësisht të përkushtuar që të më ndihmojnë të bëhem lojtar më i mirë”.

Sa i përket rinovimit të tij me City, ai konsideron se është klubi në të cilin mund të ndihet më së miri: “Ndjej se më ofron mundësinë më të mirë për të fituar tituj dhe kjo është arsyeja pse jam shumë i lumtur të qëndroj këtu”.

Drejtori Txiki Begiristain tha: “Rodri ka qenë i jashtëzakonshëm që kur erdhi, kështu që jam i kënaqur që kemi arritur ta mbyllim këtë marrëveshje të re.

Ai është shembulli i përsosur se çfarë duhet të jetë një profesionist i madh, ka një qëndrim fantastik, e jeton jetën në mënyrën e duhur, kujdeset për trupin dhe stërvitet fort çdo ditë. Kjo është ëndrra e një trajneri dhe e di që Pep pëlqen të punojë me të”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit