Erik ten Hag u shkarkua të hënën e kaluar nga detyra e trajnerit të Manchester United pas humbjes ndaj West Ham. Trajneri holandez pagoi një fillim të tmerrshëm të sezonit, me “djajtë e kuq” më afër zonës së rënies se sa kreut të renditjes.
Kapiteni Bruno Fernandes, duke folur për situatën e krijuar në ekip, ka pranuar se i kishte kërkuar falje ish-trajnerit: “Nuk i bën askujt mirë kur largohet trajneri. Rezultatet nuk ishin të mira dhe ai ishte ai që e pagoi”.
“Sa herë që largohet një trajner edhe lojtarët duhet të merrin një pjesë të përgjegjësisë. Është e qartë se skuadra nuk po bën shumë mirë”, tha playmakeri portugez pas barazimit 1-1 kundër Chelsea.
Më tej, Fernandes shtoi: “Sot është më e lehtë të heqësh qafe një trajner se sa 15 lojtarë. Fola me trajnerin dhe i kërkova falje, më erdhi keq që u largua”.
Vendin e Ten Hag e zuri bashkatdhetari Ruud van Nistelrooy, i cili do të drejtojë ekipin deri më 11 nëntor, kur vjen trajneri i ri Ruben Amorim.