I intervistuar nga Gazzetta dello Sport, Nicolò Zaniolo, sulmuesi i Aston Villas i huazuar nga Galatasaray, foli për Paulo Fonseca, ish-trajnerin e tij te Roma, i cili është një hap larg stolit të Milanit:
“Për mua, Fonseca është një trajner i madh, një person shumë i mirë, i ndershëm. Në fushë i pëlqen loja sulmuese, me të jemi përpjekur gjithmonë të sulmojmë.
“Nëse ai shkon në Milano, do të jem i lumtur për të. Një avantazh mbi të gjitha? Ai ia thotë gjërat në fytyrë lojtarëve… dhe më besoni, kjo gjë nuk ndodh shpesh.
“Kujtime me Fonseca-n? Më kujtohet vëmendja ndaj detajeve që kishte në stërvitje dhe qetësia që tregoi në një vend të vështirë si Roma. Këto nuk janë cilësi për të gjithë.
“Rezultatet zhgënjyese për Roma-n? Ai padyshim që mund të bëjë më mirë te Milani, skuadra është e fortë. Të mos harrojmë se Fonseca arriti në gjysmëfinale të Europa League me Roma-n, duke mposhtur Bragan, Shakhtarin dhe Ajax-in”.