Akti i fundit i “Euro 2024” do të përballë Spanjën dhe Anglinë. Një ndeshje e madhe, që premton argëtim për shumë arsye. Në fakt do të vihen përballë dy skuadra me filozofi të ndryshme loje, me “palmares” të kundërt, por me të njëjtën dëshirë për ta ngritur trofeun.
Me atë që ka treguar kësaj vere në Gjermani, “Furia e Kuqe” vjen në finalen e mbrëmjes së sotme si favorite. Kombëtarja e “Tre Luanëve” nuk ka fituar asnjë trofe që nga Botërori 1966. Pas humbjes së hidhur në “Wembley” kundër Italisë në finalen e “Euro 2021”, anglezët janë të uritur për triumf dhe shëlbim.
Po si vijnë dy kombëtaret në përplasjen e sotme direkte të “Olimpiastadion”? Spanja arriti në finale pa humbur asnjë ndeshje, duke i mposhtur të gjithë rrugës, edhe kundërshtarë të kalibrit të Kroacisë, Italisë, Gjermanisë dhe Francës. Një rrugëtim që i bindi të gjithë dhe nxori në pah teknikën, organizimin e lojës dhe talentin e patëmetë iberik.
Një përzierje perfekte veteranësh dhe të rinjsh, që nxorën në pah potencialin dhe karakteristikat e një grupi plot cilësi e personalitet. Lamine Yamal dhe Nico Williams janë thjesht fytyra e re dhe e shkujdesur e bandës së De la Fuente. Lojtarë për kopertinë, që ua “vodhën” paksa vëmendjen të gjithëve.
Gjithsesi, soliditeti spanjoll i mbështet themelet e tij mbi lojtarë si Rodri, Ruiz, Pedri, Morata, Carvajal dhe Dani Olmo. Emra që e bënë “La Roja” një makinë pothuajse perfekte në “Euro 2024”. Spanja konsiderohet një kundërshtar i vështirë për t’u përballur, e aftë për të kombinuar saktësinë dhe kontrollin e driblimit.
Tek iberikët spikasin rinisjet e papritura dhe inkursionet individuale, të afta për ta thyer ekuilibrin dhe vendosur fatin e ndeshjes. Karakteristika që trembin dhe ushqejnë “gjuetinë” e pokerit të spanjollëve, tashmë fitues të Kampionatit Europian më 1964, 2008 dhe 2012.
Është një histori tjetër për Anglinë. Ndryshe nga Spanja, megjithë potencialin e jashtëzakonshëm të skuadrës, kombëtarja e Southgate arriti në fazën finale të turneut çalë- çalë dhe pa shkëlqim. Një situatë e cila nga njëra anë ngjalli shumë kritika dhe nga ana tjetër bashkoi grupin rreth trajnerit.
Në Gjermani, nënkampionët e Europës fituan vetëm një herë në 90 minutat e rregullta, në sfidën kundër Serbisë. Më pas erdhën dy barazime (Danimarka dhe Sllovenia), fitorja në kohën shtesë (Sllovakia) dhe triumfi me penallti (Zvicra). Po kështu, kualifikimi ndaj Holandës erdhi në minutat shtesë, falë golit shpëtimtar të Ollie Watkins.
Një udhëtim që sigurisht nuk ishte emocionues, por tregoi këmbëngulje, fizik, dëshirë për të luftuar dhe nerva të forta. Cilësi që Southgate shpreson t’i shfrytëzojë edhe kundër Spanjës, së bashku me dëshirën për hakmarrje nga lojtarët e tij më përfaqësues, nga kapiteni Kane te Bellingham, përmes Kobbie Mainoo, Bukayo Saka dhe Phil Foden.
Të gjitha me Princin Uilliam dhe Mbretin Philip në tribunat e “Olimpiastadion” dhe nën vështrimin plot pasion të një populli të tërë që pret një gëzim të munguar prej 58 vitesh. Në Berlin, Spanja shkon në kërkim të pokerit europian, ndërsa Anglia provon përsëri dhe luan për historinë.