Europiani i atletikës: Luiza Gega e teta në kualifikuese, siguron një vend në finalen e 3000m/p

7 Qershor 2024
13:23
Telesport
back button

Atletja shqiptare Luiza Gega është klasifikuar sot në vendin e tetë në baterinë A të garës kualifikuese 3000 metra me pengesa, e vlefshme për Kampionatin Europian që po zhvillohet në Romë.

Gega, kampione në fuqi e kësaj gare, dha kohën 9’35”77, një kohë më e lartë se rekordi i saj personal. Në finalen e kësaj gare kualifikohen tetë vende e para të secilës bateri (dy të tilla), çka do të thotë se atletja kuqezi ka siguruar një vend për në finale.

Luiza Gega bëri një garë të qetë, duke qenë vazhdimisht mes më të mirave. Në dy xhirot e fundit ajo u mjaftua për të kontrolluar rivalet, pa u sforcuar shumë për të arritur objektivin minimal, që ishte kualifikimi.

Gara finale e 3000 metrave me pengesa do të zhvillohet më 9 qershor, ora 22:00, me atleten kuqezi që do të ketë mundësi të mbrojë titullin kampion Europe të fituar në Munich dy vite më parë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit