Europiani i peshëngritjes, Kristi Ramadani i dhuron Shqipërisë dy medalje të argjendta në peshën 81kg

16 Shkurt 2024
20:54
Telesport
back button

Pas Erkand Qerimaj, që mori medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes në peshën 81kg, në Europianin e peshëngritjes, kanë ardhur edhe dy medalje të tjera të argjendta në këtë turne. Madje po në këtë peshë.

Ai që ka shkëlqyer është shtangisti Kristi Ramadani, që mori dy medalje të argjendta, një në stilin e shtytjes dhe një në dygarësh. Edhe pse garoi në Baterinë B, gara e Ramadanit ishte e mjaft e mirë, duke i dhuruar Shqipërisë dy medalje të argjendta, të parat për të në një Europian për të rritur.

Në stilin e shkëputjes ai u rendit në vendin e katërt, me 151kg. Në provën e parë, ai ngriti 147kg dhe më pas 151kg në provën e dytë. Ramadani provon të ngrejë 153kg në provën e tretë, por pa sukses, duke u klasifikuar i katërti.

Në stilin e shtytjes, Ramadani është mjaft i saktë në të trija provat, duke ngritur fillimisht 180kg e më pas 186kg e në fund 190kg. Falë këtij rezultati, Ramadani u rendit i dyti, me vetëm 1kg më pak se fituesi i së artës.

Kështu, Ramadani ka mbyllur garën e tij në Europian me 341kg në dygarësh, duke u klasifikuar në vendin e dytë. Madje në dygarësh Ramadani doli edhe më mirë se Qerimaj (i katërti). Shtangisti kuqezi vari kështu në qafë dy medalje të argjendta.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit