Pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para në grup, kombëtarja e Shqipërisë në basketboll për femra u mund thellë 89-43 nga Norvegjia, në takimin e tretë dhe të fundit. Kjo sfidë ishte e vlefshme për Grupin B të Europianit të vendeve të vogla, turne që organizohet në Prishtinë.
Për pasojë, vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Klaudio Ndoja, e mbyllën grupin e tyre në vendin e dytë. Pavarësisht kësaj humbje, Shqipëria e kishte siguruar një biletë për në gjysmëfinale, ku do të përballet me Maltën, e renditur e para në Grupin A.
Sfida ndaj Norvegjisë zgjati vetëm 10 minuta për vajzat kuqezi (12-11 për nordiket perioda e parë), pasi më tej rivalet tona u shkëputën dhe merituan fitoren. Pjesa e parë u mbyll 40-18 për Norvegjinë, që thellon edhe më shumë shifrat në pjesën e dytë, për të fituar 89-43.
Diferencat mes dy skuadrave në fushë ishin të mëdha, ndaj fitorja dukej e pamundur për vajzat shqiptare. Ornela Lalaj me 10 pikë e Enisa Semanjaku me 9 pikë ishin dy shënueset më të mira për Shqipërinë në këtë sfidë.
Grupi B
Shqipëri – Andora, 74-58
Shqipëri – Armeni, 70-64
Shqipëri – Norvegji, 43-89