Lajmi që qarkulloi sot gjatë gjithë ditës ishte se “Sylvinho mund të jetë një opsion për Inter Miami dhe të drejtojë Lionel Messi & Co pasi Tata Martino do të largohet nga stoli i klubit të MLS” dhe sigurisht që burimi ishte spanjoll, aty ku ka trajneri brazilian ka jetuar dhe luajtur dhe e ka pranuar vetë se pikërisht raportet i ka mbajtur.
Kush ka qenë i vëmendshëm në konferecat e fundit për shtyp është thënë një fjali e cila sigurisht që askush smund ta vërtetojë sepse askush ska qenë në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes Shqipëri-Spanjë në Euro 2024. “Spanja na përgëzoi për paraqitjen dhe tha se kemi një skuadër të fortë dhe e patën shumë të vështirë ndaj nesh”, u shpreh trajneri Sylvinho.
Atëherë, le ta marrim si të vërtetë dhe t’i besojmë Sylvinhos për atë që i është referuar nga stafi spanjoll i kombëtares, pyetja që shtrohet është një tjetër: pikërisht tani që u mbyll Nations League dhe Shqipëria ra në Ligën C me paraqitje jo edhe aq dinjitoze sidomos në “Air Albania”, dalin fjalët e interesimit karshi tij?!
Habi e madhe, këto zëra nuk dolën as kur Shqipëria u kualifikua në Europian apo pas Europianit – meqë jemi paraqitur mjaft mirë – por dalin tani që askush nuk do të vendoste bast mbi Sylvinhon nëse ka parë të paktën 3-4 ndeshje të Shqipërisë dhe mënyrën se si luan kombëtarja kuqezi dhe rreshtohet në fushë…
Dhe këtu zbulohet “kutia e Pandorës” thonë: një inskenim i bukur nga miq iberikë për të forcuar një pozitë që duket se është kthyer i paprekshëm dhe me diplomaci shoqëron çdo përgjigje në sallat e konferencave por jo vetëm duke u kthyer në një figurë mitologjike përpara shqiptarëve sikur të ketë zbuluar ujin e nxehtë sepse “shkuam në Euro 2024″…
Në CV shënohet kjo dhe shumë gjëra të tjera të mira, por nuk duhet të shënohen ato më pak të mira që nuk po rregullohen dhe nuk dihet nëse do të rregullohen. Por, mjafton që e kërkon gjysma e Botës në stol…