Federer fiton sfidën epike ndaj Nadal, siguron finalen e Wimbledon

12 Korrik 2019
20:44
Telesport
back button

Roger Federer është finalisti i dytë i grand slam të Wimbledon, pas fitores 3-1 ndaj Rafael Nadal në gjysmëfinalen turneut londinez (7-6, 1-6, 6-3, 6-4). Një përballje ëndrrash mes dy prej tenistëve më të mirë në botë, që duelonin sërish mes tyre në fushat me bar të Wimbledonit pas 11 vitesh (më 2008-n spanjolli fitonte për herë të parë në këtë turne). 

Federer, 8 herë fitues i këtij turneu, synon të shkruajë një tjetër faqe të historisë ditën e diel. Kjo ishte sfida nr.40 mes dy tenistëve, me spanjollin që pavarësisht humbjes dominon 24-16 në përballjet direkte. Gjithsesi, në fushat me bar është Federer ai që dominon 3-1 dhe të katërta përballjet janë luajtur pikërisht në Wimbledon. Kjo është hera e 12-të që shkon në finalen e këtij turneu.

Një hakmarrje kjo për Federer, që një muaj më parë mundej nga Nadal në gjysmëfinalen e Roland Garros, në fushat me dhè. Gjithsesi, këtë herë, në sipërfaqen e preferuar të zviceranit, ishte Federer ai që dominoi në fushë, ndoshta edhe më pak fat, duke avancuar më tej. Në finale, 37-vjeçari zviceran do të duelojë ndaj Novak Djokovic, kampionit në fuqi.

Ndeshja zgjati 3 orë dhe seti i parë ishte ai që dhuroi rivalitetin më të madh. Tenistët fituan “game” me topat e tyre, duke bërë që gjithçka të vendoset në “tie break” në favor të zviceranit. Gjithsesi, shpejt loja ndryshon kah dhe në setin e dytë është Nadal ai që dominon, duke fituar thellë 6-1 dhe barazon shifrat e seteve. Loja ka shpesh luhatje dhe në setin e tretë është Federer ai që ka epërsi, duke u shkëputur dhe fiton 6-2.

Më setin e katërt, në mesin e tij, është Federer ai që fiton një “game” me topat e Nadal dhe shkëputet, mbështetur edhe nga fansat, më të shumtë për të. Këtë avantazh ai e ruan deri në fund, duke mos gabuar në momentet delikate, që ishin edhe dramatike, duke korrur një fitore të merituar 6-4 të setit dhe të krejt ndeshjes 3-1. Ëndrra e Nadal ndalet këtu, ndërsa Federer do të tentojë ditën e diel një tjetër mrekulli në këtë sport.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit