Më datat 20-22 shtator, në Berlin (Gjermani) do të zhvillohet edicioni i radhës së turneut Laver Cup në tenis. Një event i krijuar nga Roger Federer, ku përballë njëra-tjetrës janë skuadrat e tenistëve nga Europa dhe ajo e tenistëve nga e gjithë bota.
Mes tenistëve që këtë vit ka konfirmuar praninë e tij në ekipin e Europës është Rafael Nadal, që ende nuk ka vendosur nëse do të vijojë karrierën e tij vitin tjetër apo jo. Ka zëra se në këtë turne mund të thotë lamtumirë edhe Nadal, ashtu sikurse pat bërë dy vite më parë Federer.
Sfida e fundit e zviceranit ishte loja dyshe me Nadal dhe pamjet e asaj sfide, me dy tenistët në lot dhe me duart kapur bënë xhiron e botës. I pyetur nëse do të luajë një tjetër lojë dyshe me Nadal, tenisti zviceran sqaroi.
“Nuk mendoj se do të luajmë së bashku në Laver Cup, por nëse Rafael ma kërkon një gjë të tillë atëherë do të pranoj të luaj sërish me të”, u shpreh Roger Federer, duke lënë të hapur një rikthim në fushë për një ndeshje në shtator.