Felix Kroos, rrëfim unik për vëllain: Në kopshtin e shtëpisë fitoja unë…

30 Maj 2020
15:18
Alfred Lleshi
back button

Felix Kroos (Gjermani, 29 vjeç), lojtar i Union Berlin, është vëllai i Toni Kroos. Ai ka dhënë një intervistë për “AS”, pas rifillimit të Bundesligës. Mesfushori tregon ndjesitë e reja të futbollit, që po luhet në kushte strikte sanitare dhe pa tifozë, si rezultat i Covid-19, ndërsa kujton edhe shkuarjen e vëllait te Real Madridi, më 2014. Një vlerësim pozitiv ka për Haaland dhe Achraf, që luajnë me Borussia Dortmund.

Si po shkon rifillimi i Bundesligës?
Për lojtarët ka qenë një shenjë e shkëlqyer, pas dy muajsh izolim. Kemi kaluar një periudhë shumë të gjatë pa stërvitje, pa e ditur se kur do të ktheheshim. Tashmë jemi shumë të gëzuar. Është gjithashtu një shenjë e mirë për të gjithë futbollin në Europë.

A keni pasur frikë?
Aspak. Jemi bërë të vetëdijshëm për situatën, kemi kryer testet dy herë në javë dhe gjithçka tjetër, që është e mundur për ta shmangur virusin. Për mua nuk ka problem. Një tjetër gjë është koha e shkurtër e stërvitjes me skuadrën, para rifillimit, vetëm një javë. Rreziku i dëmtimit është shumë i lartë, për këtë kam frikë. Ende nuk kemi pasur lëndime të mëdha, shpresojmë se do të vazhdojmë kështu.

Cila është gjëja më e çuditshme në lidhje me këtë futboll të ri?
Të luash pa tifozë, natyrisht. Është tronditëse ta shohësh stadiumin olimpik në Berlin të zbrazët, në një derbi, në vend të më shumë se 70.000 njerëzve para pandemisë. Ne nuk jemi mësuar me këtë, por duhet të përshtatemi. Po mundohemi, sepse është mënyra e vetme për të vazhduar kampionati. Shpresoj që në fillim të sezonit tjetër, tifozët të mund të vijnë në stadium.

Situata duket e ndërlikuar akoma…
Po, është e vërtetë, por të paktën kemi rifilluar të luajmë.

A është më e vështirë të luash kështu?
Eshtë ndryshe, sepse nuk jemi mësuar në futbollin profesionist me rregulla të tilla strikte. Nuk e kemi përjetuar diçka të tillë që nga fillimet tona, shumë vite më parë. Por, të gjithë duhet të jetojmë me situatën, nuk është mirë të qahemi gjatë gjithë kohës. Na duhet të luajmë, të grumbullojmë pikë dhe ta përfundojmë sa më mirë sezonin.

A ju ka befasuar diçka pozitive gjatë rifillimit?
Deri më tani, jo (qesh). Gjëja më e mirë është fakti se do ta përfundojmë sezonin, por kurrë nuk do të jetë mire, duke luajtur pa tifozë. Shpresojmë se së shpejti do të kthehemi në normalitet.

Një vlerësim për Haaland?
Ai është një makinë, edhe pse vetëm 19 vjeç. Është sulmues i madh, i aftë, shënon gola. Një talent i madh, i shkëlqyeshëm. Nuk është kollaj të luash kundër tij, por argëtohem duke e parë nga televizori (qesh).

Një tjetër emër i spikatur i Bundesligës është Ashraf…
Hakimi është super i shpejtë, luan në një pozitë, ku nuk ka shumë lojtarë më të mirë se ai.

Si ishte fëmijëria me Tonin?
Ne bëmë gjithçka së bashku, sepse jemi pothuajse në të njëjtën moshë. Ai është një vit më i madh. Futbolli erdhi i pari për ne, luajtëm në të njëjtin ekip dhe kundër njëri-tjetrit në kopshtin e shtëpisë. Kjo ndodhi derisa ai u largua, 16 vjeç, drejt Mynihut. Që në moshën 7 ose 8 vjeç, ai ishte shumë i talentuar, po përgatitej për karrierën e madhe që ka bërë tashmë.

Felix dhe Toni Kroos… Cili ishte më i mirë si fëmijë?
Toni ishte më i talentuar, gjithçka ishte më e lehtë për të. Mua më është dashur të punoj më shumë për të qenë profesionist. Por, kur luanim në kopshtin e shtëpisë, një kundër një, fitoja më shumë herë.

Si e përjetuat transferimin e tij në Madrid?
Ne biseduam para se të ndodhte, pastaj ai mori vendimin. Sapo mësoi për interesin e Real Madridit, ai vendosi të shkojë atje. E pranoi direkt, nuk ishte aspak e vështirë. Nëse ke ofertë nga Real Madridi, nuk ke shumë për të menduar. Ishte një vendim i lehtë. Pas gjithë atyre viteve në Gjermani, unë mendoj se veproi drejt.

A mund ta imagjinoni një ditë duke luajtur kundër tij?
Nuk do të them jo, sepse në futboll gjithçka është e mundur, por tani për tani nuk kam asnjë propozim për të luajtur në Spanjë. Më pëlqen ta shikoj futbollin spanjoll në television. Natyrisht, sa herë që mundem, shikoj ndeshjet e Real Madridit. Do të ishte bukur të përballeshim, pse jo. Në Gjermani nuk mundëm (për shembull, në një Bayern-Werder Bremen, Felix hyri nga pankina, por Toni nuk luajti). Ndoshta mund të ndodhë në Spanjë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit