Ferrari fitore të dyfishtë në Amerikë, Verstappen i treti mes polemikash pas penalitetit të Norris

20 Tetor 2024
22:42
Telesport
back button

Charles Leclerc me Ferrari fitoi sot në mbrëmje garën e Çmimit të Madh të Amerikës në Formula 1, duke korrur suksesin e tretë sezonal. Një garë e shkëlqyer e monogaskut, që mori kreun e renditjes që pas kthesës së parë e më pas e ruajti atë deri në fund.

Në vendin e dytë u klasifikua shoku i tij i skuadrës, spanjolli Carlos Sainz, që konfirmoi paraqitjen e shkëlqyer të “kokëkuqes” në pistën e Austin. Falë edhe një strategjie më të mirë, Ferrari arriti një fitore të dyfishtë, në një garë ku ishte e pakapshme.

Në vendin e tretë u klasifikua piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, që u ngjit në podium pas penalitetit që mori britaniku i McLaren, Lando Norris, xhiron e fundit. Ata ishin protagonistë të një dueli të fortë në pistë, me Norris që e parakaloi duke dalë jashtë piste.

Komisarët vendosën të penalizojnë me 5 sekonda Norris, që humbi podiumin dhe dy pikë të tjera në renditje karshi Verstappen. Tashmë kampioni i botës ka 57 pikë avantazh në renditje ndaj britanikut, por polemikat kanë për të vijuar edhe pas garës.

Në vendin e pestë u rendit makina tjetër McLaren e Oscar Piastri, që la pas George Russell me Mercedes. Ky bëri një garë fantastike, duke e nisur nga vendi i fundit dhe u ngjit deri në vendin e gjashtë. Në zonën e pikëve edhe Perez, Hulkenberg, Lawson dhe Colapinto.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit