Ferrari triumf i dyfishtë në Australi, Sainz fiton dy javë pas operacionit, Verstappen në flakë, Russell “kokëposhtë”

24 Mars 2024
6:27
Telesport
back button

Ferrari arriti një fitore të dyfishtë mëngjesin e sotëm në Melburn, në garën e Cmimit të Madh të Australisë në Formula 1. Piloti spanjoll Carlos Sainz fitoi garën e tretë sezonale, sukses që vjen vetëm dy javë pas operacionit të apandesitit, duke ndalur hegjemoninë e Red Bull, që pat fituar dy garat e para.

Në vendin e dytë u klasifikua “kokëkuqja” e Charles Leclerc, në një garë që u dominua nga makina italiane, që arriti një fitore disi surprizë. Kjo u kushtëzua edhe nga tërheqja e Max Verstappen me Red Bull pas 4 xhirosh, pasi makina e tij pati probleme dhe goma e pasme përfundoi në flakë kur hyri në garazh.

Në podium u ngjit edhe makina McLaren e Lando Norris, që ndonëse u përpoq në pjesën e parë të garës nuk arriti dot të kapë Ferrarin. Makina italiane sot ishte e paarritshme nga rivalët, madje as nga Red Bull-i tjetër i Sergio Perez, që u klasifikua në vendin e pestë, pas makinës tjetër McLaren të Oscar Piastri, i katërti.

Ky është triumfi i tretë në karrierë për Sainz, në një garë që e dominoi nga xhiro e parë deri tek e fundit. Gara u mbyll nën regjimin e makinës virtuale të sigurisë, pas aksidentit të George Russell në xhiron e fundit. Madje makina Mercedes e britanikut përfundoi “kokëposhtë” pas përplasjes, por pa pasoja për pilotin.

Një garë për t’u harruar kjo për Mercedes, që e mbylli me zero pikë, pasi edhe Lewis Hamilton u tërhoq me probleme.  Në zonën e pikëve u renditën edhe Fernando Alonso (i gjashti), Lance Stroll (i shtati), Yuki Tsunoda (i teti), Nico Hulkenberg (i nënti) dhe Kevin Magnusen (i dhjeti).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit