Ferrari triumfon në Montekarlo, Leclerc thyen tersin e fiton për herë të parë në garën e shtëpisë

26 Maj 2024
17:27
Telesport
back button

Piloti monogask Charles Leclerc fitoi sot pasdite garën e Çmimit të Madh të Monaco në Formula 1, zhvilluar në rrugët qytetase të Montekarlo. Ky është suksesi i parë sezonal për pilotin e Ferrari, që për herë të parë fiton edhe garën e shtëpisë së tij.

Një garë ku Leclerc u nis nga vendi i parë dhe e mbylli në po atë vend, duke i rezistuar sulmeve të Oscar Piastri me McLaren, që u rendit i dyti. Në vendin e tretë u klasifikua makina tjetër e Ferrari, ajo e Carlos Sainz.

Gara pati emocione vetëm në xhiron e parë, ku pas një aksidenti të frikshëm të Sergio Perez me Red Bull u valëvit flamuri i kuq. Ajo rinisi pas 45 minutash dhe këtë herë gjithçka shkoi e qetë deri në fund.

Parakalimet në këtë pistë janë të pakta, madje mes pilotëve të kreut nuk pati asnjë të tillë. Kjo bëri që katër të parët ta mbyllin garën në ato vende që e nisën (i katërti doli Lando Norris me McLaren).

Dy makinat McLaren janë gjithnjë në ndjekje të dy makinave Ferrari, por nuk i parakalojnë dot. As Max Verstappen me Red Bull, sot i gjashti, nuk arrin të parakalojë dot George Russell me Mercedes, që doli në vendin e pestë.

Ky është triumfi i dytë sezonal për “kokëkuqen”. Në zonën e pikëve u renditën edhe Lewis Hamilton me Mercedes (i shtati), Yuki Tsunoda me RB (i teti), Alexander Albon me Williams (i nënti) dhe Pierre Gasly me Alpine (i dhjeti).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit