Festuan me “Gjibraltari është Spanjë”, UEFA “përkëdhel” dyshen Morata-Rodri

7 Gusht 2024
13:30
Alfred Lleshi
back button

Thirrjet nga Rodrigo Hernández dhe Álvaro Morata në lidhje me Gjibraltarin gjatë festimit të titullit të fituar në Europianin e fundit do të kenë pasoja. Konkretisht, të dy do të duhet të kryejnë pezullimin me nga një ndeshje, siç njoftoi vetë UEFA këtë të mërkurë.

Konkretisht, Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s ka përcaktuar marrjen e masave përkatëse, të shpjeguara në këtë deklaratë: “Dy lojtarët pezullohen për mospërputhje me parimet e përgjithshme të sjelljes, për shkeljen e rregullave bazë të sjelljes së denjë, për përdorimin e ngjarjeve sportive për manifestime të një natyre josportive dhe diskreditimin e sportit të futbollit, UEFA-s në veçanti”.

Pamjet e shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale treguan dyshen duke brohoritur: “Është spanjoll, Gjibraltari është spanjoll”. Referenca e tyre ishte për zonën në majën jugore të gadishullit iberik, që është territor britanik.

Shoqata e Futbollit të Gjibraltarit (FA) paraqiti një ankesë pranë organit drejtues të futbollit europian UEFA, duke përmendur sjelljen “jashtëzakonisht provokuese dhe fyese” gjatë festimeve të suksesit në “Euro 2024”, një ditë pas fitores 2-1 të Spanjës ndaj Anglisë në finalen e Berlinit.

Morata dhe Rodri tani nuk kanë të drejtë të luajnë në ndeshjen e Spanjës në “Nations League” kundër Serbisë, më 5 shtator.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit