Në vitin 2007, Lionel Messi i ri pozoi me një fëmijë në dhomën e zhveshjes së “Camp Nou” në Barcelonë. Ishte një fotosesion bamirësie.
Messi, i cili ishte 20 vjeç, sapo kishte bëtë emër në futboll dhe do të vazhdonte të bëhej ndoshta më i madhi i të gjitha kohërave. Por fotografi nuk e dinte se foshnja do të bënte bujë edhe në futbollin ndërkombëtar, më pak se 17 vite më vonë.
Messi ishte duke buzëqeshur në foto me Lamine Yamal, 16-vjeçarin që po mahnit në “Euro 2024”. Goli i tij kundër Francës në gjysmëfinalen e së martës është ai për të cilin do të flitet me dekada.
Në moshën 16 vjeç e 362 ditë, ky gol e bëri atë lojtarin më të ri që ka shënuar në historinë e kompeticionit në fjalë. Fotoja e harruar prej kohësh e Messit dhe Yamal u rishfaq, pasi babai i Yamal e postoi atë në Instagram, javën e kaluar, me tekstin: “Fillimi i dy legjendave”.
Fotot janë realizuar nga Joan Monfort, e cila punon si fotografe e pavarur për “Associated Press”. Fotoja u bë për llogari të “Unicef”, në funksion të një lotarie në qytetin Mataró, ku jetonte familja e Lamine, saktëson fotografja: “Ata u regjistruan në lotarinë për të bërë foto në ‘Camp Nou’ me një lojtar të Barçës. Familja e Yamal e fitoi atë lotari.
Fotoja nuk ishte fort e lehtë, sepse Messi është një djalë mjaft introvert, është i turpshëm. Ai po dilte nga dhoma e zhveshjes dhe befas e gjeti veten në një dhomë tjetër të zhveshjes, me një vaskë plastike të mbushur me ujë dhe një fëmijë në të. Ishte situatë e ndërlikuar. Ai nuk dinte si ta mbante fëmijën në fillim.”
Ashtu si Messi, Yamal vazhdoi të luajë për Barcelonën, ku u bë titullari dhe golashënuesi më i ri i klubit ndonjëherë, si dhe golashënuesi më i ri në La Liga.
Monfort tha se vetëm kur fotografia filloi të bëhej “virale” në internet, javën e kaluar, e kuptoi se foshnja ishte Yamal:
“Është shumë emocionuese të shoqërohesh me diçka që ka shkaktuar një ndjesi të tillë. Të them të vërtetën është një ndjenjë shumë e bukur.”