Fitoi dy herë radhazi trofeun “Yashin”, flet Dibu Martinez: Nuk kam limite, pres të luaj edhe mbi 40 vjeç

1 Nëntor 2024
8:15
Alfred Lleshi
back button

Një lojtar kyç për Aston Villa dhe Unai Emery, si dhe për kombëtaren e Argjentinës, Emiliano Dibu Martínez është në buzët e të gjithëve, pasi fitoi trofeun e tij të dytë radhazi “Yashin”, në ceremoninë e “Topit të Artë” në Paris, të hënën. “Është çmenduri ta fitosh çmimin për të dytin vit radhazi. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta merrja një herë, e lëre më dy herë. Ende nuk e besoj”, – deklaroi ai në intervistën dhënë për “Dsports”.

Mes ambicieve dhe lidershipit, në moshën 32-vjeçare, argjentinasi ka idenë për të luajtur deri në moshën 40 vjeç: “Përderisa trupi im ma lejon, pse të mos vazhdoj. Jeta është shumë e gjatë pas kësaj. Rinovova për katër vite të tjera me Aston Villa, kështu që do të qëndroj këtu deri në moshën 35 ose 36 vjeç. Unë shkoj vit pas viti, e di që trupi im mund të mbajë deri në 41 ose 42 vjeç, pa probleme. Karriera e futbollistëve po bëhet më e gjatë në ditët e sotme”.

Pas kësaj, Dibu foli për mundësinë e largët të të luajturit në vendin e tij, ndoshta me Boca ose River Plate: “Nëse nuk bëhet fjalë për Independiente, nuk do të luaja askund tjetër në Argjentinë”.

Së fundi, një koment për garën kualifikuese të Kupës së Botës 2026: “Ndeshjet tona janë shumë të vështira, Bolivia është rritur si kombëtare. Në Kolumbi dhe Ekuador luhet në 40 gradë dhe në orën 2 pasdite.

Me Paraguajin në Asunción do të jetë shumë e vështirë. Jemi në krye të grupit dhe duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, por është shumë e vështirë. Nuk është aq e lehtë sa duket, megjithatë jemi tashmë një hap larg kualifikimit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit