Katër tituj kampionë në Premier League me fanellën e Manchester United, klub me të cilin fitoi edhe një Champions League. Gjithsesi, e tashmja për ish-mesfushori brazilian Anderson Luís de Abreu Oliveira është burgu.
36-vjecari tani e gjen veten të burgosur për mospagimin e mbështetjes së fëmijëve. Anderson është dënuar me 30 ditë burg në qytetin e Porto Alegre dhe rrezikon të qëndrojë më gjatë nëse nuk do të shlyejë borxhin prej rreth 50 mijë eurosh.
Katër vjet më parë ai ishte në qendër të një rasti të dyshuar korrupsioni në Brazil, sepse u akuzua për pastrimin e disa milionëve në kriptovaluta. I lindur në vitin 1988, një talent i madh që u rrit në Gremio, ai luajti me United nga viti 2007 deri në 2015 (105 ndeshje dhe 6 gola).
Anderson ishte një nga miqtë më të mirë të Cristiano Ronaldos. Më pas veshi edhe fanellat e Fiorentina, Internacional, Coritiba dhe Adana Demirspor. Ai gjithashtu veshi 8 herë edhe fanellën “Seleçao”, midis 2007 dhe 2008-s.
Në karrierën e tij, Anderson ka fituar edhe Kupën e Amerikës me kombëtaren si dhe medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike të Pekinit. Më pas, ai vendosi të tërhiqej nga futbolli në vitin 2020 edhe pse ishte vetëm 32 vjeç.