Pavarësisht nëse e dinte apo jo se do të shpallej lojtari më i mirë në botë për vitin 2024, Rodrigo Hernández kishte përgatitur një fjalim që i emocionoi të gjithë të pranishmit në teatrin “De Chatelet”. Futbollisti spanjoll dha një “recital” sapo mori “Topin e Artë”:
“Është një natë e pabesueshme për mua sonte. Nga ky podium dua të falënderoj shumë njerëz. Së pari, falënderoj ‘France Football’ dhe UEFA-n për çmimin. Faleminderit atyre që më votuan! Është një ditë shumë e veçantë për mua, familjen dhe vendin tim.
Doja të falënderoja personin më të rëndësishëm në jetën time, Laura. Sonte është përvjetori ynë, kemi bërë 8 vite bashkë. Pa atë kjo rrugë nuk do të kishte qenë e njëjta.
Falënderoj familjen time, sigurisht, për të gjitha vlerat që më kanë dhënë, për ndihmën që në fillim të karrierës. Falë saj kam hedhur hapat e duhur, jam një njeri që e luan futbollin me dashuri. Gjithashtu falënderoj agjentit tim Pablo, i cili më ka mbështetur me një dashuri të pakushtëzuar, që nuk e kisha parë kurrë më parë.
Gjithashtu, doja të falënderoja pjesën tjetër të familjes dhe miqve të mi. E kuptoj që futbolli është një sport kolektiv, ndaj jam këtu falë Manchester City, stafit teknik, bashkëlojtarëve. Për mua janë shumë të veçantë, pa ta nuk do ta kisha arritur këtë trofe. Sa i takon kombëtares, falënderoj Luis (trajnerin De la Fuente), që më besoi për kaq shumë kohë.
Dua të kujtoj Carvajal, i cili ka pësuar të njëjtin dëmtim si unë dhe e meriton të jetë këtu, po aq sa unë. Sonte nuk është një fitore vetëm për mua, por për futbollin spanjoll. Ka kaq shumë lojtarë që nuk e kanë fituar ‘Topin e Artë’, edhe pse e kanë merituar, si Iniesta, Xavi, Iker, Busi. Ky trofe është për futbollin spanjoll dhe për figurën e mesfushorit.
Sot më kanë shkruar shumë miq dhe më kanë thënë se futbolli ka fituar. Më në fund njihet merita e kaq shumë mesfushorëve, sepse kemi një punë në hije, por sonte doli në dritë. Së fundi, do të doja të tregoja një anekdotë për procesin që më bëri të jem këtu.
Në moshën 17 vjeç bëra valixhet gati dhe u nisa drejt një ëndrre, shkova te Villarreal për të luajtur në divizionin e parë. Më kujtohet një ditë që thashë “mjaft”, mbaj mend që telefonova babanë duke qarë me ndjenjën se gjithçka kishte mbaruar.
M’u duk se ëndrra ime po shuhej, por babai më tha: Nëse kemi ardhur këtu, nuk do të dorëzohemi. Dhe që nga ajo ditë mentaliteti im ndryshoi. Një djalë normal, me vlera, që studion, që përpiqet t’i bëjë gjërat mirë dhe nuk iu kushton rëndësi stereotipeve jashtë futbollit, mund të arrijë nivele të larta, falë të gjithëve”.