Arsenal arriti një fitore të rëndësishme në Champions League, ku në fushën e tij mundi 1-0 Shakhtar, falë një autogoli. Por nëse tri pikët janë të rëndësishme për renditje, një lajm jo i mirë ka ardhur nga infermieria.
Trajneri Mikel Arteta ka vënë duart në kokë në minutën e 70-të, kur në fushë u dëmtua mbrojtësi italiani Riccardo Calafiori. Ai doli nga fusha dy minuta më vonë dhe gjasat janë që dëmtimi të jetë i rëndë për italianin.
“Riccardo dëgjoi diçka në këmbë dhe nuk mundi të qëndronte më gjatë në fushën e lojës. E pranoj që situata me të duket pak shqetësuese. Të shohim se çfarë do të thonë analizat”, tha Arteta.
Më tej, duke folur për ndeshjen, ai shtoi: “Jam shumë i kënaqur me rezultatin. Është gjithmonë e vështirë në Champions League, por duhet të kishim shënuar më shumë në pjesën e pare. Në pjesën e dytë skuadra u duk pak e lodhur, por janë shumë ndeshje dhe kam shumë të dëmtuar”.