Ferrari duket se ka rilindur këtë sezon, me dy fitore në 8 garat e para sezonale në Formula 1. Suksesi në pistën qytetas të Montekarlo nga Charles Leclerc shihet si një motivim për “kokëkuqen”, që synon të bëjë një paraqitje të mirë edhe pas 10 ditësh në Kanada.
Shefi i Ferrari, Frederic Vasseur, njeriu që ka vënë rregull te skuadra, tha: “Në tre garat e fundit ne kemi qenë gjithmonë brenda një të dhjetës së sekondës nga rivalët. Është një kampionat emocionues, me gjashtë makina që mund të luftojnë për pole çdo herë, kështu që ne duhet të qëndrojmë të fokusuar në ngjarjet individuale që na presin”.
“Unë dua që ekipi të vazhdojë të përmirësohet në çdo drejtim. Edhe nëse po ecim mirë, ky është vetëm fillimi. Unë insistoj gjithmonë në të njëjtin mesazh. Të gjithë bëjnë një ndryshim në performancën e Ferrarit në pistë. Të gjithë janë përgjegjës për rezultatin si kur gjërat shkojnë keq ashtu edhe kur fitojmë”, tha Vasseur.
“Fitorja e Leclerc ishte ei veçantë sepse Charles e kishte pritur për një kohë të gjatë dhe kishte humbur disa mundësi në të kaluarën. Fitorja në shtëpinë e tij do t’i japë atij më shumë besim te vetja dhe gjithashtu do të rrisë besimin e ekipit. Morali është i lartë e po shtyjmë në drejtimin e duhur”, tha drejtori i “kokëkuqes”.