Antonio Conte është një nga trajnerët më të përfolur, sepse nuk drejton ndonjë ekip. Emri i tij është lidhur me disa stola, teksa trajningu i mungon prej disa muajsh. Përveç përpjekjeve të presidentit të Napolit, i cili bëri gjithçka për të nënshkruar me të në janar, javët e fundit trajneri salentin është kontaktuar si nga Milani, ashtu edhe nga Juventusi.
Thashetheme të natyrshme në prag të merkatos së verës, por për momentin ekziston vetëm një e vërtetë absolute: dëshira e tij për t’u rikthyer në stol, pas eksperiencës së fundit te Tottenham dhe vitit larg fushave të blerta. Cristian Stellini ka folur për Conten. Zëvendësi i ish-trajnerit të kombëtares italiane, duke folur për “Telelombardia”, nuk u përmbajt:
“Dëshira e Antonios për t’u rikthyer në stol është e madhe. Ai u përditësua dhe bëri një punë të shkëlqyer gjatë dimrit për t’u përmirësuar dhe përgatitur për aventurën e radhës. Rikthimi i tij do të jetë me risi taktike. Conte ka punuar shumë për këtë, do të sjellë më shumë modernitet dhe paparashikueshmëri në lojën e tij”.
Lidhur me zërat që e lidhin me Milanin në javët e fundit, Stellini deklaroi: “Asnjë pengesë ndaj asnjë projekti, Milani apo Napoli qoftë. Si nuk mund të lidhet një ekip i madh me një trajner të madh? Milani është një ekip i forte. A mund ta reduktojë hendekun ekzistues nga Interi? Historia e Contes tregon se i merr skuadrat në vështirësi dhe me punën e tij e ngushton hendekun me çdo pretendent”.
Ndërkohë, tifozët e Milanit duan t’i bëjnë të ditur klubit se Conte është i vetmi trajner që do të dëshironin ta shihnin në pankinën e ekipit të tyre pas Piolit. Për këtë kanë nisur një tjetër peticion online, pas atij kundër Lopetegui, për t’u dëgjuar zëri i tyre:
“Ne jemi zemra e Milanit dhe pas lëvizjes #NOPEtegui jemi rikthyer me një kërkesë të re, kërkojmë me zë të lartë Antonio Conte si trajnerin e ardhshëm të Milanit. Ai ka demonstruar kompetencën dhe talentin në shumë raste, duke i çuar skuadrat e tij drejt titujve të rëndësishëm (4 tituj të Serie A, 1 titull të Premier League, 1 Superkupë Italie dhe 1 ‘FA Cup’).
Përvoja dhe aftësitë e tij strategjike mund të jenë ato që kuqezinjtë kanë nevojë për t’u kthyer në ditët e tyre të lavdisë. Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga ‘Gazzetta dello Sport’, mbi 80% e tifozëve kuqezinj do të dëshironin ta shihnin ish-trajnerin e kombëtares në krye të skuadrës sonë.
Prandaj kërkojmë nga drejtuesit e klubit që ta marrin në konsideratë kërkesën tonë dhe ta emërojnë Antonio Conte si trajnerin e ardhshëm të Milanit. Nënshkruajeni këtë peticion nëse e ndani këtë dëshirë me ne! #CONTEALMILAN”.