Flick, apel klubit: Olmo, shumë i rëndësishëm. Duhet federuar sa më shpejt të jetë e mundur

24 Gusht 2024
8:20
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Barcelonës deklaroi para ndeshjes së tij të parë zyrtare në shtëpi se shpreson që Jules Koundé të mund ta ndalojë Nico Williams. Gjermani e justifikon largimin e Gündogan si “një ndryshim mendjeje nga ana e lojtarit”.

Si e prisni debutimin tuaj zyrtar në La Liga para fansave katalanas?
Është e rëndësishme të kemi mbështetjen e tifozëve. Duhet të ketë lidhje organike mes skuadrës në fushë dhe tifozëve në stadium. Mendoj se do ta kemi këtë dhe do të jemi më të fortë së bashku.

Çfarë ndikoi në largimin e Gündogan?
Para Valencias e kemi konsideruar si referencë atë. Isha i vetëdijshëm që donte të na ndihmonte, e njoh mirë si futbollist dhe person, por ai ndryshoi mendje. Unë mund të flas vetëm mirë për të.

A jeni i shqetësuar se Dani Olmo nuk është i regjistruar ende në La Liga?
Kjo nuk është puna ime. Kemi punuar mirë këtë javë, ai është gati të luajë dhe shpresoj të jetë në ekip. Kjo do të ishte shumë pozitive për ne. Në stërvitje është i jashtëzakonshëm, shpresoj ta kemi sa më shpejt që të jetë e mundur në dispozicion. Personalisht shpresoj ta kem gati edhe për këtë ndeshje.

A është Fermín i përshtatshëm për të luajtur?
Nga sa kam parë është gati të na ndihmojë. Ai kishte nevojë për një pushim, por nuk ka humbur shumë energji. Është gati.

A mendoni se skuadra do të ndryshojë ende para përfundimit të merkatos?
Jam shumë i lumtur me ekipin që kam. Kam folur me shumicën e lojtarëve sot dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën e tyre, shoh që po kalojnë mirë. Kjo do të na ndihmojë të përmirësohemi. Jemi gati për sezonin.

Duke llogaritur edhe Christensen?
Pse nuk duhet të mbështetem tek ai? Kam folur me të dhe i kemi diskutuar hapur gjërat. Ai ka pasur disa probleme fizike dhe nuk është stërvitur me ne. Po flasim për një lojtar fantastik, që luajti shumë sezonin e kaluar, edhe pse pati disa probleme lëndimesh. Duhet të jetë 100 për qind, vetëm 80 për qind nuk mund të na ndihmojë. Ne duhet ta ndihmojmë atë, është prioriteti ynë.

A ju kujton Casadó një lojtar si Kimmich?
Nga pikëpamja fizike, po. Kam parë shumë ndeshje të Barcelonës, sezonin e kaluar, dhe mbeta i impresionuar. Ne kemi një akademi të madhe.

A ju mungon ndonjë pjesë për të përcaktuar formacionin ideal?
Unë fokusohem në atë që kam, punoj për atë që mund të ndryshoj. Nuk funksionon të mendosh për atë që nuk ke. Përqendrohem te skuadra që duhet të fitojë të shtunën.

Si e vlerësoni ekipin e Athletic në aspektin fizik?
Ata janë një ekip shumë i fortë fizikisht, që vrapon shumë dhe është i përgatitur mjaft mirë. Shpresojmë t’i tejkalojmë me sukses.

Si e keni përjetuar tentativën e klubit katalanas për të nënshkruar me Nico Williams?
Si kundërpeshë në këtë pozicion kemi një lojtar me përvojë, që do të kujdeset për të. Jules do të bëjë një punë të madhe në këtë drejtim.

Çfarë duhet të përmirësojë ende Lamine Yamal?
Ai ka vetëm dy javë e gjysmë stërvitje dhe çfarë shoh është e pabesueshme. Na ndihmon shumë në zotërim dhe kontrollin e loës e topit. Shpresoj që gabimet e pjesës së parë ndaj Valencias të mos komentohen dhe vendosja e tij në pozicionin e duhur mund të na bëjë shumë mirë.

Cili është mendimi juaj për Raphinha?
Ai mund të luajë në pozicione të ndryshme dhe kjo është shumë pozitive. Nuk më pëlqen të flas shumë për lojtarë individualë, preferoj të flas për ekipin. Në pjesën e dytë kundër Valencias ai na ndihmoi shumë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit