Flick bën “filozofin”: Për mua, gjërat që s’mund të ndryshohen nuk ekzistojnë

17 Gusht 2024
9:25
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Barcelonës pohoi para ndeshjes së tij të parë zyrtare se nënshkrimi i ri i Barçës nuk është ende gati dhe se Pedri mund të luajë në pjesën e dytë.

Si do ta përballoni debutimin zyrtar kundër Valencias?
Valencia luan shumë mirë, është një sfidë fantastike për ekipin tim qysh në startin e La Liga-s. Mezi presim debutimin në Valencia.

A keni lojtarë që ende nuk janë regjistruar nga La Liga?
Kemi 22-23 lojtarë të regjistruar, të shtunën do ta aktivizojmë listën. Dani Olmo nuk është gati të luajë nesër, edhe nëse regjistrimi i tij bëhet fakt i kryer. Ai u bashkua shumë vonë me ne. Të gjithë ata që luajnë duhet të jenë 100 për qind dhe në gjendje të plotë.

Si është Pedri?
Ai është një lojtar i veçantë dhe më pëlqen ta kem në fushë. Mund të jetë një opsion për pjesën e dytë ndaj Valencias.

A është Lamine i aftë psikologjikisht për të luajtur, pas asaj që i ndodhi babait të tij?
Po, mund të luajë.

A do të kthehen së shpejti Frenkie dhe Ansu Fati?
Jam optimist, por nuk mendoj se do të kthehen shpejt. Kemi lojtarë të tjerë në dispozicion. Shpresoj t’i kem, por nuk ka një datë të caktuar. Ata janë në rrugën e duhur, po punojnë mirë. Janë lojtarë të mëdhenj.

Çfarë i mungon grupit të lojtarëve që stërvisni?
Unë jam i kënaqur me atë që kam tani në dispozicion, pjesa tjetër është mister. Besoj shumë te klubi, duhet të them se jam shumë i kënaqur me atë që tregon skuadra. Kur të rikthehen të dëmtuarit do të jemi shumë të fortë.

A e shihni Christensen në mesfushë apo si mbrojtës?
Zakonisht nuk flas shumë për taktikat e mia. Nuk kam ankesa për ata që luajnë në qendër të fushës. Të hënën ishim të lodhur për shkak të intensitetit të stërvitjes. Ne i përdorëm këto pesë ditë për të rikuperuar energjitë.

A mendoni se Barça do të jetë në gjendje të konkurrojë përballë Real Madridit për titullin?
Unë tashmë u përgjigja, ata janë një ekip shumë i mirë dhe shumë i fortë, me dhe pa top. Këtu bëhet fjalë për të fituar duhen shumë komponentë në futboll. Ideja ime është të përgatitemi mirë, të japim maksimumin që nga Valencia.

A i keni zgjedhur kapitenët? A do të vazhdojë Ter Stegen si kapiten i parë, duke pasur parasysh se është i vetmi që mund të flasë me arbitrin?
Ne do të flasim me arbitrin dhe do t’i tregojmë se cili lojtar do të jetë bashkëbiseduesi në fushë. Marc, tani për tani, mbetet kapiteni i parë.

Si e keni parë Gavi?
Duhet të kujdesemi për të, sepse do të luajë edhe 10 apo 15 vite të tjera. Stafi po punon shumë me të. Jam krenar për ekipin me të cilin duhet të punojmë. Duhet t’i marrim gjërat me qetësi.

Me çfarë kontribuoi Thiago Alcantara në stafin tënd teknik?
Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer prej kohësh, i ofrova mundësinë për të ardhur. Na ka ndihmuar shumë. Kontributi që na ka dhënë është i pabesueshëm. Ai është një person i madh. Tani do të na lërë, por vjen Arnau. Nuk e di nëse do të kthehet, por varet nga ai. Më ka thënë se dëshiron të përqëndrohet te familja e tij.

A e imagjinonit këtë skenar përsa iu përket nënshkrimeve dhe regjistrimeve kur firmosët me Barcelonën?
Për mua gjërat që nuk mund të ndryshohen nuk ekzistojnë. Nuk ka justifikime. Gjërat janë të tilla. Kam ardhur me një situatë që e kam pranuar, fokusohem tek e nesërmja.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit