Hansi Flick, trajneri gjerman, doli në konferencë për shtyp të shtunën, përpara ndeshjes kundër Leganés. Ai foli për pezullimin prej dy ndeshjesh që duhet të vuajë, pas përjashtimit të tij me karton të kuq në sfidën e kaluar kundër Betisit në “Benito Villamarín”.
Flick e nisi përgjigjen e tij duke theksuar se reagimi i tij ndaj gjyqtarit Alejandro Muñiz Ruiz “nuk ishte i tepruar”, teksa kërkoi që gjyqtarët e La Liga-s të zbatojnë të njëjtin standard të rreptë ndaj të gjitha ekipeve dhe trajnerëve kur bëhen protesta:
“Besoj se reagimi im nuk ishte i madh. U përpoqa të flisja me Frenkie, sepse kishte diçka mes Iñigo dhe Vitor Roque. Kur e nisëm sezonin, i thashë ekipit që nuk doja ankesa në fushë, por të fokusoheshim vetëm te futbolli. Kur gjyqtari fishkëllen dhe merr vendim, duhet ta pranojmë. Kartoni i kuq duhet pranuar, jam në një ligë ndryshe.
Në fund, ajo që dua është që të vendoset me të njëjtin standard për të gjithë trajnerët dhe stafet teknike. Nuk mund t’i ndryshojmë ato që ndodhin në fushë. Jam shumë i kënaqur me ekipin, sepse nuk ankohet ndaj gjyqtarit, dhe kjo është ajo që kam kërkuar. Sjellja e ekipit është fantastike. Ky është drejtimi që duam, është pjesë e filozofisë sonë.
Është normale që trajnerët dhe lojtarët t’i analizojnë ndeshjet për t’u përmirësuar. Edhe gjyqtarët mund të përmirësohen. Të gjithë jemi njerëz dhe bëjmë gabime. E pranoj kartonin e kuq dhe do të duhet t’i kontrolloj më mirë emocionet e mia. Kam një përgjegjësi ndaj ekipit”.
Flick nuk do të jetë në pankinën e “Estadi Olímpic Lluís Companys”, por tha se do të japë udhëzimet e fundit për lojtarët në hotelin ku është i grumbulluar ekipi. Gjatë ndeshjes, vendimet në fushë do të merren nga ndihmësit e tij, Marcus Sorg dhe Heiko Westermann.