Flick, euforik pas fitores 4-1 ndaj Bayern Munich: Kjo ndeshje meriton notën 10 për rezultatin dhe lojën

24 Tetor 2024
8:34
Alfred Lleshi
back button

Ajo që Hansi Flick po bën me Barçën është mbresëlënëse. 9 fitore në 10 ndeshje në La Liga dhe dy të tjera në Ligën e Kampionëve, e fundit ndaj njërit prej të mëdhenjve të futbollit europian, Bayern Munich. Barça kishte humbur kundër kampionëve të shumëfishtë gjermanë në 6 ndeshjet e fundit. Këtë herë mori fitore mbresëlënëse me shifrat 4-1.

Për shkak të gjithçkaje që përjetoi në ndeshjen kundër gjermanëve, Flick ishte një njeri shumë i lumtur. Ai e pa veten në stol dhe më pas para mediave: “Ndeshja që zhvilluam meriton notën 10 për rezultatin dhe lojën. Mendoj se ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Pas golit të parë, patëm 10-15 minuta tërheqje, që na kushtuan pak. Megjithatë, ishte mirë të shihnim se skuadra rikuperon dhe reagon. Kemi një ekip të ri dhe është e rëndësishme ta shohim të konkurrojë në këtë mënyrë. Ne përpiqemi të luajmë më mirë në çdo ndeshje”.

Ndeshja ishte e veçantë për Flick, për shkak të së kaluarës së tij në pankinën e Bayernit. E tillë ishte edhe për Barçën, për të gjitha humbjet e pësuara ndaj bavarezëve në vitet e fundit, pa harruar turpërimin 8-1 në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në kohën e Covid-19. Trajneri gjerman nënvizoi: “Bayerni është një ekip i mrekullueshëm, me lojtarë të shkëlqyer, që luajnë shumë mirë. Cilido dëshiron t’i shohë ata teksa luajnë. Ne jemi dy skuadra që kemi filozofi loje shumë të ngjashme. Nëse i fitoni këto lloj ndeshjesh, duhet të festoni. Është shumë e rëndësishme për të fituar në këtë kompeticion. Ky sukses bindës do të na japë shumë besim për ndeshjen që kemi të shtunën”.

Flick, pavarësisht rezultatit të madh, nuk dëshiron të mendojë për tituj apo nëse Barça është kandidate për të fituar Champions League: “Është ende herët, sezoni sapo ka filluar. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë, përgatitemi dhe mendojmë nga ndeshja në ndeshje, duke e ditur se na mbetet ende shumë për t’u përmirësuar”.

Flick nuk është ai që nxjerr në pah shumë emra të përveçëm. Përgëzon ekipin, lojën në bllok, por foli shumë për Marc Casadó: “Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Nëse e shihni duke luajtur tani dhe e dini se nga vjen, nga Barça B, ka përmirësuar gjithçka. Është shumë i mirë në mbrojtje, gjithashtu me topin në këmbë. Jam shumë i lumtur me të, në pjesën e dytë vazhduam të luanim duke pasur kontrollin për shumë minuta”.

Me sa duket, “heroi” i mbrëmjes ishte Raphinha. Flick “dorëzohet” para brazilianite: “Ai është një lojtar i madh, punon shumë mirë me ekipin. Gjithmonë jep gjithçka në stërvitje dhe luan me intensitet të madh. Ai është shumë i rëndësishëm për ne, e zgjidh shumë mirë presionin”.

Gjithnjë e më shumë, tifozët e Barçës besojnë se nënshkrimi i verës ishti Flick: “Jam shumë i lumtur që drejtoj këtu. Nuk duhet të mendojmë për të kaluarën, por për të tashmen. Kemi parë që ekipi është i ri, por i përgatitur për këto lloj sfidash. Me Olmo, Frenkie, Gavi, të cilët po rikthehen nag dëmtimet, do të jemi edhe më të fortë. Kemi një skuadër të madhe, që kënaqet duke luajtur futboll. Më pëlqen shumë mbështetja e tifozëve, jo vetëm në stadium, por edhe në rrugë”.

I pyetur për ndeshjen kundër Real Madridit, të shtunën, Flick nuk ka dashur ta hapë atë kapitull ende: “Nuk jam duke menduar për ndeshjen në ‘Santiago Bernabeu’. Sonte është koha për të festuar, ne do të mendojmë për klasiken nga e enjtja”.

Ai beson se lojtarët e Barçës nuk do ta ndiejnë shpenzimin e madh të energjive që duhej të bënin kundër Bayern Munich: “Skuadra është në dijeni për ndeshjen kundër Real Madridit. Kanë mbetur pak ditë, do të shohim sesi lojtarët do të rikuperohen, por mendoj se janë të përgatitur shumë mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit