Flick: Kundër Atlético Madridit nuk është finale, por ndeshje shumë e rëndësishme

21 Dhjetor 2024
10:50
Alfred Lleshi
back button

Hansi Flick ndau ndjesitë e tij në prag të ndeshjes së të shtunës kundër Atlético Madridit, e vlefshme për javën e 18-të të La Liga-s. Trajneri gjerman, i cili do të plotësojë ndeshjen e dytë dhe të fundit të pezullimit të tij kundër ekipit madrilen, vlerësoi serinë pozitive të Atlético Madridit dhe punën e Simeone, por theksoi se Barcelona është e përgatitur dhe e fokusuar te fitorja. Për më tepër, ai i uroi gazetarët për festat e fundvitit me një mesazh ku përziente spanjishten dhe katalanishten.

Ndeshja – “Është një moment kulmor për të gjithë. Ne kemi ekipin më të mirë, ata kanë fituar 11 ndeshje radhazi. Do të jetë një ndeshje e fortë, por e bukur. Jemi të përgatitur”.

Mungesa e Lamine Yamal – “Duhet të pranojmë që është i dëmtuar dhe nuk mund të jetë me ne. Do të luajë dikush tjetër, kemi opsione të ndryshme. Vendimi nuk është marrë ende. Duhet të presim deri para ndeshjes”.

Intensiteti – “Kundër Borussia Dortmundit bëmë mirë që nga fillimi. Duhet ta bëjmë të njëjtën gjë edhe kësaj here. Atlético Madridi ka shënuar shumë gola në minutat e fundit, ndaj duhet të jemi të përgatitur nga fillimi deri në fund”.

Ndeshja si finale – “Është fundi i vitit, një ndeshje e madhe. Do të sfidojmë një nga rivalët më të mirë. Aktualisht jemi të parët në La Liga dhe të dytët në Champions. Nuk është keq. Humbëm disa pikë kundër Las Palmas dhe Leganés, të cilat duhet t’i rikuperojmë. Skuadra që bën më pak gabime fiton. Kemi një ekip të ri dhe duhet të luftojmë e të përmirësohemi. Duam të arrijmë gjëra të mëdha, por e dimë që nuk do të jetë e lehtë”.

Pushimi – “Këtë javë iu dhashë dy ditë pushim lojtarëve, sepse kishin kohë pa një ditë të lirë. Çdokush e ka të nevojshme, ishte një vendim i drejtë”.

Mbështetja e tifozëve – “Nuk kemi folur për këtë. Përballë Atlético Madridit, tifozët do të jenë aty. Do të kemi mbështetje, si gjithmonë, por është e rëndësishme që ne të bëjmë mirë në fushë”.

Darka e Krishtlindjeve – “Ndjeva që klubi është si një familje dhe kjo më pëlqen shumë. Ishim të gjitha departamentet së bashku, sa bukur të jesh pjesë e këtij klubi”.

Joan Laporta – “Bisedat janë private, unë i ruaj sekretet. Pyeteni atë se çfarë na tha gjatë darkës”.

Simeone – “Ka më shumë se 700 ndeshje me Atlético Madridin, është diçka e pabesueshme. Ai ka bërë një punë fantastike dhe e respektoj shumë. Më pëlqen sesi emocionohet dhe si është ekipi i tij. Ekipi është si ai. E respektoj, ka bërë një punë të madhe. Kësaj here duam të fitojmë”.

Forma e dobët – “Ajo që ndjej nga qyteti dhe tifozët është se ata e dinë si është skuadra. Humbëm pesë lojtarë të rëndësishëm. Dani Olmo dhe Pau Víctor janë ‘përforcimet’, skuadra është përmirësuar dhe e fokusuar. Nuk jemi të kënaqur me situatën, por do të luftojmë deri në fund të sezonit. Duam të fitojmë tituj, por e dimë që nuk do të jetë e lehtë”.

Zëvendësimi i Lewandowskit – “Kur mendon për një ndeshje të kaluar, ndoshta do t’i ndryshoje disa gjëra. Sidoqoftë, vendimet merren në moment. Ferran luajti shumë mirë. Mund të diskutohet nëse ishte vendim i mirë apo jo, por puna jonë është të marrim vendime”.

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit