Flick merr lajmin e mirë për fundvit, Lamine Yamal drejt rikuperimit dhe gati për Superkupën

30 Dhjetor 2024
9:21
Telesport
back button

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka marrë një lajm të mirë në këtë fundvit. Sulmuesi Lamine Yamal, i cili është dëmtuar më 15 dhjetor në ndeshjen ndaj Legane, në kampionat, mund të rikthehet në fushë më herët nga parashikimi.

Lajmin e konfirmoi e përditshmja spanjolle “AS”, sipas së cilës, ylli i Barcelonës iu nënshtrua një vlerësimi të plotë të dielën, gjatë seancës së parë stërvitore të skuadrës pas festave të Krishtlindjeve, për të kontrolluar evoluimin e problemit të kyçit të këmbës.

Për sa i përket gjendjes së tij dhe në funksion të Superkupës së Spanjës, përditësimet janë jashtëzakonisht pozitive. Dëmtimi duket se është zhdukur dhe shumë shpejt sulmuesi spanjoll do të mund të fillojë stërvitjen në fushë, me objektivin prioritar që të jetë gati për të fituar trofeun e parë me klubin “blaugrana”.

Si Yamal ashtu edhe mjekët janë shumë optimistë për rikthimin e tij dhe Hansi Flick ka besim se ai mund të aktivizojë lojtarin në ndeshjen kundër Athletic, më 8 janar. Megjithatë, do të ishte një rikuperim i shpejtë, duke marrë parasysh që nga vlerësimet e para për dëmtimin kishte një periudhë pushimi prej të paktën 3-4 javësh.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit