Seria e fitoreve të Hansi Flick vazhdon në La Liga. Që kur iu bashkua skuadrës katalanase në verë, gjermani njeh vetëm rrugën drejt fitores në kompeticion. Kundër Getafe, skuadra blaugrana mund të kishte fituar me më shumë gola, por pavarësisht rezultatit të ngushtë, Flick ishte i kënaqur me atë që u arrit: “Getafe është shumë e mirë në mbrojtje. Jam krenar për lojtarët, edhe për tifozët, na duheshin këto tri pikë.
Ne patëm një shans dhe shënuam. Ata kishin edhe një goditje të pastër, por nuk shënuan. Kundërshtari u mbyll mirë mbrapa, por ne shënuam golin që na dha 3 pikët. Fitorja është shumë e mirë për ekipin.
Shumë njerëz në klub thanë se ndeshjet kundër Getafes ishin të barabarta. Ne luftuam për 95 minuta dhe kjo më bën krenar. Skuadra ka luajtur futboll, por ka ditur edhe të fitojë. Ne duhej të rrisnim shpejtësinë e pasimeve në pjesën e dytë, duhej të hapeshin hapësira”.
Për Szczesny, trajneri Flick nuk ka dashur të përfshihet: “Po flas vetëm për lojtarët që kemi në skuadër. Iñaki Peña është portieri ynë numër një, jemi të kënaqur me paraqitjen e tij. Kjo është ajo që ka rëndësi dhe kjo është gjithçka që mund të them, jam shumë i lumtur”.
Trajneri gjerman vlerësoi gjithashtu Lewandowski dhe Eric García: “Ai është ‘9’ më i miri i 10 viteve të fundit. Robert ka gjithashtu lojtarë rreth tij që mund ta asistojnë. Para portës është fantastik. Eric po luan mirë, pasi u përjashtua me karton të kuq kundër Monaco. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si e kam parë të luajë”.
Hansi Flick gjithashtu donte të theksonte figurën e Lamine Yamal. Futbollisti i talentuar i Barçës ka marrë disa goditje të ashpra në ndeshjet e fundit, ndaj Flick kërkon mbrojtjen e tij. Ja mesazhi drejtuar ekipit të arbitrave: “Ai bën gjëra të ndryshme dhe stadiumit i pëlqen. Është mënyra e tij e lojës dhe ne duhet ta mbrojmë atë nga ndërhyrjet e rënda. Për këtë janë arbitrat”.