Për shkak të kërkesave të skenarit, Hansi Flick u detyrua të modifikojë ‘tipin e tij të përmbajtur’ kundër Real Sociedad. As Dani Olmo, as Lamine Yamal nuk ishin titullarë në “Reale Arena”. I pari e pa ndeshjen nga tribuna, ndërsa i dyti u aktivizua gjatë lojës në vend të De Jong. Mbingarkesa e muskujve të kofshës e bëri Flick të ishte i kujdesshëm me Yamal, ta “përkëdhelte” yllin e vet, të mos e rrezikonte.
Në këtë mënyrë, Hansi “vuri bast” për Fermin dhe përfshirjen e Frenkie de Jong në formacionin startues. Synimi ishte fitorja, për të shkuar në pushimin e nëntorit (për shkak të kualifikueseve të kombëtareve) me atë epërsi pikësh ndaj Real Madridit. Sidoqoftë, ndodhi e kundërta, rrugëtimi nuk vazhdoi me ndjenjat e mira të këtij fillimi të bujshëm sezonal.
Asgjë nuk shkoi mirë për katalanasit në këtë transfertë. “Ishte një vendim i gabuar, absolutisht i gabuar. Sonte nuk ishte dita jonë. Në sulm u vendosëm gabim. Kjo është gjithçka që mund të them”, – nënvizoi Flick pas disfatës 1-0. Sigurisht, ka pezmatim për golin e anuluar të Lewandowskit: “I thashë arbitrit se ishte gol i rregullt, mori vendim të gabuar. Ndodh që gabojnë edhe arbitrat bashkë me VAR-in, duhet ta pranojmë. Sigurisht që do të ishte një ndeshje ndryshe me rezultatin 1-0 për ne që në minutën e 13-të”.
Lidhur me situatën e Lamine Yamal, trajneri gjerman nënvizoi: “Për të do të kujdesen mjekët, si klub do të flasin edhe me mjekët e kombëtares spanjolle. Mendoj se meqë nuk luajti dot sonte, nuk ka mundësi ta bëjë edhe me kombëtaren. Ai do të paraqitet në kombëtare dhe pastaj atje do të vendosin. Edhe unë kam qenë në situatën e federatës spanjolle. Duhet ta pranojmë, do të marrin vendimin e duhur, jam i sigurt, sepse edhe për ta është shumë i rëndësishëm një lojtar si Lamine”.
Flick u shfaq serioz, por jo i shqetësuar në konferencën për shtyp. Në fund të fundit ishte një pengesë, vetëm e dyta e sezonit. Për të ka vend reflektimi: “Përgjegjësia është e jona për këtë humbje. Mendoj se mund të kishim luajtur shumë më mirë, e treguam në 20 minutat e para. Është një humbje e vështirë, që nuk duhej të vinte kështu”.
Kjo është humbja e tretë e epokës së Hansi Flick, pas 17 ndeshjeve të luajtura. Pa dyshim, një bilanc i madh para këtij pushimi të fundit ndërkombëtar deri në pranverën e ardhshme. Barça e trajnerit gjerman u përball mbrëmë me versionin e saj më të keq, me një vendim të diskutueshëm arbitral kundër dhe një Real Sociedad në nivelin më të mirë të sezonit.
Barcelona ndihet “e vjedhur”, dyshime të mëdha për golin e anuluar të Lewandowskit