Barcelona e Hansi Flick është rikthyer në stërvitje të hënën në mëngjes, pasi ka shijuar katër ditë pushim. Kishte një pritje të madhe për dy lojtarë në veçanti: Ansu Fati dhe Frenkie de Jong. I pari, pa rrethana të paparashikuara, do të përfshihet në listën e lojtarëve të thirrur për derbin ndaj Girona, ndërsa i dyti nuk është ende gati.
Sulmuesi spanjoll, raporton “Marca”, kishte kryer tashmë disa ushtrime në fushë gjatë javës së kaluar, edhe pse punoi veçmas. Të hënën iu bashkua grupit dhe e përballoi mirë ritmin e ngarkesën e punës. Gjithçka tregon, pra, se ai tashmë është shëruar nga fashiti i shputës së këmbës së djathtë, të pësuar më 24 korrik, dhe se do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e së dielës, e vlefshme për javën e pestë të La Liga-s.
Mesfushori holandez nuk është rikuperuar ende plotësisht nga ndrydhja e kyçit të këmbës së djathtë, dëmtim që e shqetëson nga sezoni i kaluar dhe e detyroi të humbiste Kampionatin Europian. Edhe pse Flick kishte treguar optimizëm të kujdesshëm në lidhje me rikthimin e tij disa ditë më parë, De Jong është ende duke punuar individualisht. “Shpresoj se ai nuk duhet t’i nënshtrohet një operacioni, është në fazën e rikuperimit, ka bërë një hap të madh përpara dhe tani duhet të presim”.