Flick: Të fitosh në Dortmund është mbresëlënëse, synimi ynë është të jemi të parët

12 Dhjetor 2024
8:39
Alfred Lleshi
back button

Siç pritej, Hansi Flick shprehu entuziazmin e tij pas fitores së vlefshme të Barcelonës kundër Borussia Dortmundit. Trajneri i ekipit katalanas përgëzoi disa herë lojtarët e tij dhe vlerësoi atmosferën e shkëlqyer në dhomat e zhveshjes:

“Të fitosh këtu është mbresëlënëse. Ne sonte bëmë një hap shumë të madh. Synimi ynë është të fitojmë dhe të jemi të parët. Sonte treguam se jemi një ekip, që paraqitemi si të tillë dhe dimë si të shfrytëzojmë fuqitë tona. Ekipi im ka një mentalitet fantastik, lojtarët kujdesen shumë për njëri-tjetrin dhe atmosfera në dhomat e zhveshjes është shumë e mirë. Sonte të gjithë ishin shumë të lumtur. Kemi festuar dhe do të vazhdojmë të festojmë. Ky ekip është si një familje, ‘La Masia’ ka pasur ndikim të madh”.

Kur u pyet për Champions League, ai shtoi: “Synimi ynë është ta marrim çdo ndeshje një nga një, kemi ende shumë punë përpara”.

Trajneri nuk harroi të falënderonte tifozët që udhëtuan drejt Gjermanisë: “Më bëri shumë të lumtur fakti që kaq shumë tifozë udhëtuan. Na bëri të gjithëve të ndihemi mirë. Disa ditë më parë takova një fqinj në Barcelonë me tre fëmijët e tij, më uruan fat të mirë për ndeshjen këtu”.

Një nga temat e pashmangshme ishte gjendja fizike e Raphinha, por Flick i qetësoi të gjithë: “Jo, nuk është i dëmtuar, thjesht është i lodhur”.

Një nga ndeshjet më të mira: “Në pjesën e parë kemi luajtur mrekullisht, ndërsa në pjesën e dytë, kur Dortmundi shënoi, treguam stabilitet. Ishte e mrekullueshme ta shikoje lojën e zhvilluar. Ka qenë një nga ndeshjet tona më të mira, edhe pse kemi pësuar gola. Përsa i përket posedimit të topit dhe lojës me top, kemi bërë shumë mirë”.

Flick gjithashtu vlerësoi nivelin e Dortmundit: “Të themi se vuajtëm nuk është termi i duhur. Dortmundi ka lojtarë fantastikë dhe luan me ritëm shumë të lartë. Është e vështirë t’i mbrosh, por bëmë mirë. Golat erdhën nga gabime që mund t’i korrigjojmë. Sonte dua vetëm të them urime për ekipin”.

Trajneri theksoi rëndësinë e posedimit të topit në pjesën e parë dhe rolin e lojtarëve të rinj që hynë në fushë: “Me Ferran dhe Fermín ishim më direktë dhe shënuam. Ekipi ka besim te vetja. Jemi ekip shumë i ri dhe ndonjëherë ndeshjet na ndërlikohen, gjë që është normale, pasi kemi lojtarë me pak ose aspak eksperiencë në këtë kompeticion. Megjithatë, kjo iu tregon tifozëve se sa shumë punojmë dhe luftojmë për çdo gjë”.

Ndër emrat e përmendur nuk mungoi Ferran Torres: “Ai na jep shumë, siç e tregoi sonte. Në situata të ndërlikuara reagon shumë mirë. Ka shumë potencial dhe një mentalitet pozitiv. Pas dëmtimit, ai është rikthyer i rëndësishëm për ekipin. Kemi punuar shumë me të, është një lojtar kyç për ne”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit