Florian Marku paralajmëron rivalin: Për të më mundur duhet të më hedhë KO, do t’i tregoj se s’jam këtu rastësisht

29 Mars 2024
11:39
Telesport
back button

Boksieri i pamposhtur shqiptar Florian Marku këmbëngul se Chris Kongo, kundërshtari i tij mbrëmjen e së dielës, ka bërë një gabim kritik që ka pranuar sfidën me të. Kongo, pohon ai, po e nënvlerëson shqiptarin, ndaj Marku, në një interbistë për “Sky Sports” thotë se do ta bëjë të paguajë për këtë.

Armiqësia mes dy boksierëve nisi fillimisht me një grindje në një konferencë shtypi vitin e kaluar. Tani rivaliteti i tyre do të arrijë në një përfundim kur ata të duelojnë pas tri ditësh në Londër. “Ai tregoi mungesë respekti ndaj meje. Ai erdhi sikur të isha askushi, më ndërpreu intervistën dhe e shtyva“, tha Marku.

Ai pëlqen të ngacmojë njerëzit. Por nëse e ngacmojmë atë, ai do të ndalet”, tha më tej boksieri kuqezi. “Tani ai ka atë që dëshironte. Kjo është ajo që ai donte. Ai donte që kjo sfidë të ndodhte dhe tani ai e ka atë. Ne do të shohim më 31 mars nëse ai do të pendohet për zgjedhjen e bërë”, u shpreh Marku për mediat.

Marku paralajmëroi rivalin anglez: “Për të më rrahur duhet të më hedhë KO sepse unë nuk dorëzohem. Nuk më intereson çfarë do të sjellë sfida, unë do të bëj punën time dhe do ta përmbush ëndrrën time sido që të jetë. Unë e di se sa shumë punoj, e di se çfarë jam i aftë. Më 31 mars do ta shohim. Unë do ta tregoj”.

Ai më nënvlerëson mua, ashtu siç kanë bërë të gjithë. Ndoshta se unë vij nga një sport tjetër si MMA dhe kikboksi dhe nuk jam vërtet me përvojë në ring, por ata harrojnë se jam i pamposhtur. Kur ata janë brenda në ring me mua, e ndjejnë se sa shumë e dua fitoren, se sa ndryshe jam. Tani do t’i dëshmoj turmës dhe Kongo se nuk jam këtu se kam patur fat”, tha Florian Marku.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit