“Ne do të donim të ishim më lart.” Kështu e përmblodhi qëndrimin e tij Yousouuf Fofana, shtylla e mesfushës së Milanit, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”. Francezi nuk dorëzohet dhe siguron se objektivi i kuqezinjve është ta fitojnë titullin, pavarësisht diferencës aktuale nga kreu i Serie A:
“Kemi mbledhur disa pikë të rëndësishme, por kjo s’do të thotë që nuk mund të përmirësohemi më shumë. Duhet të jemi më pak të ekspozuar kur fillojmë t’i japim vazhdimësi lojës dhe rezultateve. Personalisht besoj në punën e trajnerit dhe në cilësinë e shokëve të mi të skuadrës”.
Pra, a lufton Milani aktual për titullin? Francezi nuk ka dilema: “Sigurisht që po, ne jemi Milani. Ky ekip duhet të luajë çdo vit për titullin. Na jepni pak kohë për të punuar dhe pastaj do të shohim se ku do të jemi më vonë”.
Ibrahimovic është një figurë shumë e rëndësishme te Milani…
Menjëherë ma shpjegoi projektin dhe rëndësinë e Milanit. Ai kujdeset shumë për kursin e ri të klubit, është shumë prezent dhe pozitiv. Para ndeshjeve gjithmonë na jep këshilla, na mbush me besim.
Cili ju bëri më shumë përshtypje nga shokët e skuadrës?
Në fakt e prisja këtë cilësi. Disa prej tyre i njihja që nga Kampionati Europian, si Reijnders apo Leao.
Si mesfushor “box-to-box”, cilat nga cilësitë tuaja bëjnë diferencën në Itali?
Ato fizike, spikas në rikuperimin e topit. Më pas orientimi dhe leximi i lojës, duke vëzhguar atë të shokëve të skuadrës, ndoshta thjesht për të ngadalësuar ritmin, duke kërkuar nëse nevojitet ndonjë faull për t’i bërë ata të marrin frymë.
Cilët lojtarë ju frymëzuan më shumë?
Yaya Touré dhe Ndombele. Në përgjithësi, lojtarët që vendosin lojën dhe dinë se kur duhet të pasojnë apo ta mbajnë topin.