Të pazëvendësueshmit e Milanit janë ata të dy: Tijjani Reijnders dhe Youssouf Fofana. Holandezi dhe francezi, protagonistë në aksionin që i dha fitoren “Djallit” në transfertën ndaj Veronës, janë shtyllat kryesore të projektit të Paulo Fonseca në mesfushë.
Pas portierit Maignan (1.943 minuta të luajtura), janë pikërisht këta të dy, lojtarët e fushës më të përdorur nga trajneri portugez, i cili nuk ka hequr dorë prej tyre kur i ka pasur në dispozicion. Ata madje janë aktivizuar edhe në 1/8 finale të Kupës së Italisë kundër Sassuolos, një ndeshje ku Fonseca aplikoi rotacion të gjerë, por Reijnders dhe Fofana qëndruan në formacion.
Minutat e tyre totale deri tani, në sezonin 2024-2025, janë të rëndësishme: 1.788 për Reijnders dhe 1.786 për Fofana. Falë paraqitjeve të tyre, Milani, edhe pse është disi i shkëputur nga kreu i tabelës dhe vendi i katërt, mbetet në garë për kualifikimin e drejtpërdrejtë në Champions League të ardhshëm, për fazën e 1/8 të Champions-it aktual, si dhe për Kupën e Italisë dhe Superkupën, e cila do të luhet në Arabinë Saudite pas më pak se dy javësh.
Real Madrid në pritje – Intuita e drejtorit teknik Geoffrey Moncada për të sjellë Reijnders verën e kaluar po rezulton sukses. Vlera e holandezit, i paguar 20 milionë euro te AZ Alkmaar, është trefishuar. Me 8 gola sezonalë deri tani (4 në Serie A, 3 në Champions dhe 1 në Kupën e Italisë), Reijnders ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha.
Sidoqoftë, Milani po vepron për ta mbajtur atë. Administratori i deleguar Furlani ka mbyllur praktikisht negociatat për rinovimin e kontratës së tij. Edhe pse mungon zyrtarizimi, marrëveshja është thuajse e sigurt: numri 14 do të qëndrojë deri më 2029 kuqezi (me opsion deri më 2030), ndërsa paga e tij do të rritet në 3.5 milionë euro, plus bonuse, për të larguar të interesuarit.
Pavarësisht kësaj, Reijnders është në radarin e Real Madridit, i cili mbeti i impresionuar nga paraqitja e tij në “Bernabeu” dhe po e ndjek si një kandidat për të zëvendësuar Luka Modric verën e ardhshme. Holandezi ndihet mirë në Milano dhe te “Djalli”, ku ka evoluar nga mesfushor qendror në një mesfushor difensiv cilësor, me aftësi për t’u futur në sulm. Përveç një vendi të sigurt në kombëtaren holandeze, ai ka marrë komplimente edhe nga legjendat e Milanit si Van Basten, Gullit e Rijkaard.
Fofana si lider – Nëse Reijnders ishte goditja e madhe e verës 2023, Fofana ishte blerja më e mirë e verës së mëpasshme. Edhe pse Manchester United kishte interes për të, ai mbajti premtimin ndaj Milanit, duke pritur që Monaco të ulte kërkesat financiare mbi 30 milionë euro. Në Itali, Fofana po demonstron të njëjtat aftësi që tregoi në Ligue 1: ndërthurjen e rikuperimit të topit me asistime të shkëlqyera, si ai për Reijnders kundër Veronës ose për Leao në Serie A dhe Champions.
Ata që mendonin se Fofana do të ishte vetëm një mesfushor shkatërrues, gabuan. Ai na kujton Marcel Desailly për aftësinë ndikuese në çdo pjesë të fushës. Nuk ka Milan pa Fofana, as pa Reijnders.