Fonseca i dërrmuar nga 6-2: Në pjesën e dytë nuk kemi ekzistuar

30 Prill 2021
8:54
Alfred Lleshi
back button

Roma u dërrmua në “Old Trafford” dhe ëndrra e finales së “Europa League” praktikisht u komprometua. Humbja 6-2 flet qartë për këtë. Paulo Fonseca, duke folur për “Sky”, e analizoi kështu gjysmëfinalen e pare, të luajtur në tokën angleze: “Humbje e rëndë. Ne patëm një pjesë të parë të mirë, por nuk ekzistuam në pjesën e dytë. Ishim shumë të kushtëzuar nga lëndimet, pas 3 zëvendësimeve të detyruara nuk mund të bënim më ndryshime në formacion, kishim në vështirësi Diawara dhe Smalling. Ishte një pjesë e dytë shumë e keqe për ne, tejet e vështirë.

Një disfatë e vështirë për t’u shpjeguar me një ekip që bëri atë pjesë të parë, duke hyrë në pjesën e dytë pa agresion dhe duke lënë hapësirë. Pas golit të tretë nuk kishim forcën mendore për të reaguar, por është e vështirë të luash kundër Manchester United pa qenë në gjendje të bësh zëvendësime. Është shumë pozitive të arrijmë në gjysmëfinale dhe të luajmë këtë ndeshje të parë kundër Manchester United. Kjo tregon se ne mund të luftojmë, por në pjesën e dytë kemi bërë gabime.

Nuk ishte një problem taktik, ne e përgatitëm mire lojën. Pjesa e parë e provon këtë, me kundërshtarin pa asnjë shans. Përzgjedhja e lojtarëve është diçka logjike. Ne humbëm lojtarë të rëndësishëm në minutat e para nga lëndimet, më pas nuk kishim forca mendore. Kur kemi topin duhet të sulmojmë, ishte mbi të gjitha problemi i mungesës së reagimit mendor në 3-2. Skuadra e dekurajua shumë, nuk reaguam. Për më tepër, nuk mund të bënim zëvendësime.

Unë jam trajneri, nuk dua të krijoj alibi, nuk iu shmangem gabimeve të mia. A po mbarojnë 2 vitet e mia me Romën? Le të shohim, në këtë moment është e vështirë të flasësh. Duhet të jemi të ekuilibruar dhe nuk është koha e duhur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit