Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, këtë mesjavë nuk pati frikë të fliste përpara kamerave. Tekniku i kuqezinjve deklaroi se disa lojtarë titullarë nuk po japin maksimumin.
Pavarësisht se nuk përmendi emra, në Milano dihet se ku është problemi. Mediat italiane raportojnë se Fonseca e ka seriozisht. Ai, madje, po mendon të provojë disa talente nga Milan Futuro.
Kush mund të jenë këta talente? I pari në listën e “Djallit” është Alex Jimenez si zëvendësues i Theo Hernandez. Francezi duket i pamotivuar për të luajtur me fanellën kuqezi. Jimenez ka luajtur me Piolin, por ende jo me trajnerin Fonseca. Po i vjen dita.
Problemi i dytë për Milanin është se nuk ka ende mesfushorë të aftë, të cilët garantojnë qëndrueshmërinë e duhur për të zëvendësuar dy titullarët e mesfushës, Youssouf Fofana dhe Tijjani Reijnders.
Kështu, ylli i Italisë U21, Kevin Zeroli, mund të jetë një opsion i ri, pa harruar transferimin e verës, Silvano Vos, i afruar nga Ajax. Më në ofensivë, Milani ka një lojtar të Italisë U17, Mattia Liberali, i cili patjetër që do të konsiderohet për të ardhmen.
Fonseca në krahët e sulmit mund të provojë talentin Chaka Traore. Kur ishte te Parma, ai ka bërë disa paraqitje në Serie A. Ai ka shënuar për herë të parë me skuadrën e parë të Milanit në fitoren 4-1 kundër Cagliari në Kupën e Italisë (2023).
Sigurisht, nuk mund të harrohet talenti Francesco Camarda në sulm. Ai është ende adoleshent (16), por pritshmëritë për të janë të jashtëzakonshme.