Milani po has vështirësi në Champions League, por në fund të fundit u kthye nga Sllovakia me tri pikë. Një ndeshje e vështirë kundër Slovan Bratislava, që megjithatë nuk e shqetësoi shumë Paulo Fonseca, pavarësisht dy golave të pësuar:
“Kemi fituar 3 ndeshjet e fundit duke shënuar 9 gola dhe dominuar pothuajse gjithë ndeshjen. Bëmë shumë gjëra pozitive, edhe pse duhet të përmirësojmë mbulimin parandalues, sepse në pjesën e parë i dhamë kundërshtarit 2, 3 mundësi për të dalë në sulm”.
Problemet në leximin e situatave mbrojtëse e zemëruan Fonseca, sidomos në rastin e golit të Tigran Barseghyan. Një situatë që e shqetësoi trajnerin portugez: “Janë gjëra të vështira për t’u shpjeguar, sidomos kur kemi tre lojtarë mbrapa.
Është çështje taktike, ndoshta sepse këta mbrojtës nuk kanë luajtur shumë kohët e fundit. Është çështje leximi e lojës, jo qëndrimi. Kur jemi në sulm, duhet të përgatitemi të kthehemi menjëherë për të bërë markimin parandalues, përndryshe rrezikojmë të jemi shumë larg dhe t’u japim kundërshtarëve hapësirë për të dalë përpara”.
Një nga protagonistët e fitores ishte padyshim Rafael Leao, i cili u fut në lojë gjatë ndeshjes dhe ndihmoi Milanin të kompletonte fitoren: “Flas gjithmonë me Rafa. Ai e di pse sot nuk luajti nga fillimi. E kuptoi dhe, kur hyri në fushë, ishte vendimtar. Jam i kënaqur me qëndrimin e tij, veçanërisht kur qëndron në stol dhe tregon dëshirën për të hyrë e për të bërë më të mirën”.