Fonseca kthen derbin te Milani, pas 6 “agjërimesh” radhazi: Lojtarët dhe tifozët e meritojnë këtë gëzim

23 Shtator 2024
8:35
Alfred Lleshi
back button

Paulo Fonseca, trajneri i Milanit, foli kështu për kanalet zyrtare të klubit kuqezi, pas derbit të fituar 2-1 ndaj Interit: “Mendoj se fitorja e derbit është gjithmonë e veçantë, veçanërisht pasi Milani nuk e kishte bërë këtë në 6 përballjet e fundit me zikaltrit.

Besoj se në çdo rast ishte fitore uniteti, sepse edhe në një moment të vështirë kemi qëndruar të bashkuar. Kur besojmë në diçka, duhet të punojmë, pikërisht këtë kemi bërë të gjithë deri tani. Natyrisht, përpjekjet për t’u përmirësuar nuk kanë fund, por sonte, veçanërisht lojtarët dhe tifozët e meritojnë këtë gëzim.

Ky sukses merr shumë vlera, edhe për momentin tonë negativ ku ndodheshim. Djemtë treguan shumë guxim, e merituam të fitonim, sepse nuk më kujtohet prej kohësh një ekip që iu ka krijuar kaq shumë probleme zikaltërve”.

A jeni i kënaqur me mënyrën se si ekipi kuqezi iu qas ndeshjes?
Mendoj se luajtëm mirë. Nëse them se duhet të përmirësohemi ende, është sepse mundemi. Jam i kënaqur, sepse lojtarët kurrë nuk u përpoqën të mos bënin atë që përgatitëm. Këtë javë biseduam, lojtarët patën një unitet fantastik dhe u shpërblyen në fushën e blertë. Personalisht mendoj se luajtëm si një ekip, në të gjitha lëvizjet. Ky ishte çelësi i suksesit.

A do ta shohim sërish 4-4-2, si sonte?
Po. Ne kemi filluar tashmë me këtë sistem, që kur luajtëm me Venezia. Sonte Morata luajti si mesfushor-sulmues, siç kishte bërë Reijnders, por formacioni ishte i njëjtë. Ndryshuam diçka, është e vërtetë, sidomos në fazën e posedimit me Fofana. Çdo gjë tjetër e mbajtëm si ndaj Venezia. Kemi përmirësuar disa gjëra në nivel mbrojtës, megjithatë duhet të rregullojmë pasimin e fundit. Kemi bërë disa gabime dhe nuk kemi pasur finalizime të rëndësishme. Mundësitë kundër skuadrave si Interi nuk ndodhin shpesh.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit