Sot në mbrëmje do të luhet sfida Milan-Napoli e vlefshme për Serie A, një përballje mes dy prej skuadrave pretendente për titull. Në prag të kësaj sfide ka folur për mediat trajneri kuqezi Paulo Fonseca.
“Ekipi është stërvitur mirë dhe unë kam besim te lojtarët që do të luajnë në vend të lojtarëve të padisponueshëm. Napoli është një rival i fortë, që kryeson renditjen. Po kalojnë një moment të mirë”, tha Fonseca.
Milan nuk do të ketë disa lojtarë, si Gabbia, Theo Hernandez dhe Reijnders, mungesa që do të ndikojnë shumë te skuadra kuqezi: “Ne donim të luanim në Bolonjë dhe shtyrja na ka penalizuar shumë”.
“Leao? Ai ka punuar mirë si gjithmonë. Nuk është problem dhe jemi të sigurtë që do të kthehet në atë që presim. Por për mua këto janë situata normale. Kur bëj zgjedhjet e mia vlerësoj aspekte të ndryshme“, tha më tej Fonseca.
Duke folur për mundësitë që ka Milan të luftojë për titullin kampion, trajneri kuqezi tha: “Për mua kemi mundësi të luftojmë. Tifozët duhet ta besojnë sepse ne jemi një ekip i fortë dhe në rritje. Mendojmë se mund të luftojmë për kampionatin“.