Fonseca: Nuk jemi ende afër Milanit të vërtetë, duhet shumë më tepër. Morata, gati për nesër

5 Tetor 2024
14:36
Alfred Lleshi
back button

Pas humbjes në Ligën e Kampionëve ndaj Bayer Leverkusenit, kuqezinjtë rifillojnë kampionatin nga ndeshja si mysafir, ndaj Fiorentinës. Trajneri Fonseca është në kërkim të “pokerit”, për të siguruar vazhdimësinë e rezultateve në Serie A, pas fitoreve radhazi ndaj Venezia, Inter dhe Lecce. Më poshtë keni deklaratat e portugezit në konferencën për shtyp, në prag të transfertës me vjollcët:

“Vazhdimësia është e rëndësishme për momentin. Nëse ekipi është mirë dhe po rritet, gjëja e rëndësishme është të marrim maksimumin nga lojtarët që kemi në dispozicion. Jo se nuk kam besim te lojtarët e tjerë. Lotfus dhe Chukwueze bënë mirë kur erdhën, por tani është e rëndësishme të kemi një bazë që mbështet ekipin”.

Katër fitore radhazi në fokus: “Grupi është i zhgënjyer dhe i zemëruar, pas Leverkusenit, por konstatova ndjenja të mira te lojtarët. Skuadra punoi mirë dhe ne duam të fitojmë. Është gjithmonë e vështirë të luash në Firence, sepse atje na pret një kundërshtar shumë i fortë. Sidoqoftë, jemi gati të luajmë një ndeshje të mirë”.

Situata e Morata dhe Pavlovic: “Alvaro është mirë, gati për të luajtur nesër. Pavloviç? Tani për tani nuk figuron startues, por kjo nuk ka të bëjë me atë personalisht. Në fakt ka të bëjë me stabilitetin e mbrojtjes, ku Gabbia dhe Tomori kanë luajtur disa ndeshje të shkëlqyera. Pra, është e rëndësishme të vazhdojmë me to. Pavlovic duhet të vazhdojë të punojë, sepse do t’i ketë shanset e tij”.

Gabbia në kombëtare: “Nuk dua të ndikoj në zgjedhjet e Spallettit, por thirrja ishte e duhura për mënyrën se si po luan. Jam shumë i kënaqur me të. Ai është një profesionist i madh, e meriton thirrjen në ekipin kombëtar”.

Napoli në “arrati”: “Ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Po kështu ka shumë skuadra që luftojnë për të fituar. Napoli nuk luan në Kupat e Europës, ndaj është i avantazhuar. Pra, ka një javë të tërë për të punuar në funksion të një ndeshjeje. Ata kanë një trajner dhe ekip shumë të fortë. Napoli është shumë i fortë, kandidat për titullin”.

Vështirësitë në transfertë: “Për ne është njësoj të luajmë në shtëpi ose jashtë, sepse gjithmonë kemi ambicie për të fituar. Mendoj se nesër do të jetë e rëndësishme të fitojmë, jo sepse është ndeshje jashtë fushe, por sepse duhet t’iu japim vazhdimësi rezultateve. Ne duhet të kemi gjithmonë të njëjtin qëndrim dhe të njëjtën dëshirë për t’i fituar ndeshjet”.

Performanca e luhatshme: “Leverkusen është një nga skuadrat më të forta në Europë për momentin, jemi në periudhë rritjeje. Edhe pas fitoreve ndaj Lecce dhe Interit, gjithmonë kam thënë se grupi është duke u përmirësuar, por kemi ende shumë për të bërë. Milani i vërtetë nuk është ky, duhet të bëjmë më shumë në të gjitha ndeshjet. Edhe mënyra e lojës sonë është ndryshe, duhet të mësohemi me të”.

Rreth Fofana: “Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, po përmirësohet dhe mëson ditë pas dite. Ai ka pasur një periudhë adaptimi, sepse kampionati këtu është ndryshe nag ai në Francë. Pastaj, po luan një rol tjetër këtu te Milani. Në këtë strukturë është lojtari më i rëndësishëm. Ai është përmirësuar, edhe skuadra përmirësohet nëse Fofana punon mirë”.

Kalulu te Juventusi dhe Calabria: “Nuk po flas për lojtarë që nuk luajnë me Milanin. Zgjedhja ishte gjithashtu e lojtarit. Tani nuk ka kuptim të bëjmë krahasime me ata që mbetën. Calabria ka probleme, e filloi sezonin me një dëmtim në pulpë. Pastaj e përshpejtoi ritmin, por pësoi një lëndim tjetër duke u përpjekur të rikuperohej. Për momentin nuk mund të luajë”.

Pozicioni i Musah: “Jemi duke punuar për ta përdorur në rolin e Fofana. Ai po stërvitet në këtë pozicion, sepse na duhet pas lëndimit të Bennacer. Fofana është mesfushor-mbrojtës, Musah është mesfushor-difensiv”.

Karakteri dhe personaliteti: “Ndaj Leverkusenit nuk kishim probleme karakteri apo qëndrimi. E vërteta është se ata ishin superiorë. Kemi bërë gabime në dalje, por skuadra tregoi karakter gjatë gjithë ndeshjes”.

Një gjykim për Maignan: “Që kur kam ardhur trajner i këtij ekipi, Maignan ka qenë një nga liderët e grupit. Ai po punon mirë, është gjithmonë shumë i ekuilibruar. Është një nga drejtuesit e dhomës sonë të zhveshjes”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit