Frattesi dëshiron të largohet, por Interi i vendos pengesën 50 milionë euroshe

9 Janar 2025
8:21
Alfred Lleshi
back button

Roli i rezervës luksoze nuk i mjafton më. Davide Frattesi dëshiron të luajë, mjaft më me pak minuta në ndeshje apo fanellë titullari vetëm kur mungon njëri prej tre mesfushorëve kryesorë (Barella, Mkhitaryan dhe Calhanoglu).

Mesazhi i agjentit të tij ka qenë i qartë. Po ashtu, i qartë ka qenë edhe qëndrimi i deritanishëm i drejtuesve të Interit, të cilët janë bërë “mur” përballë një largimi të mundshëm: qoftë te Roma, ku Frattesi është rritur dhe do të kthehej me dëshirë, apo te ndonjë klub tjetër, edhe Tottenham thuhet se ka shfaqur interes, përveçse në rast të një oferte të rëndësishme financiare.

Kështu, Interi ka vendosur çmimin për lojtarin. 45-50 milionë euro është shuma e kërkuar për të dhënë ‘dritën jeshile’ të largimit të mesfushorit. Në ditët në vijim, raporton “Corriere della Sera”, lojtari do të thirret nga klubi zikaltër. Mesazhi do të jetë i qartë: ose vjen oferta e duhur, ose ai do të qëndrojë të paktën deri në qershor.

“Frattesi është një lojtar i mirë, një djalë i Romës”, – ka thënë disa ditë më parë drejtori sportiv verdhekuq, Florent Ghisolfi. Lojtari pëlqehet nga klubi kryeqytetas, por kërkesa e Interit është jashtë buxhetit të tij. Për më tepër, ideja e një shkëmbimi me Pellegrinin ka rënë poshtë, duke marrë parasysh dëshirën e kapitenit për të qëndruar pas golit në derbi dhe rikthimit të harmonisë me gjithë ambientin verdhekuq.

Kontrata e Frattesit me Interin skadon në vitin 2028. Në këtë sezon, ai ka qenë titullar në 4 raste nga 17 ndeshjet e kampionatit dhe 3 herë në Ligën e Kampionëve, për një total prej 942 minutash, duke përfshirë Kupën e Italisë dhe Superkupën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit