“Futbolli nuk është prioritet për Leao-n”, sulmi ndaj yllit të Milan-it: E ka mendjen diku tjetër

2 Qershor 2024
11:18
Denis Hakanaj
back button

Rafael Leao përfundon përsëri nën akuzë.

Milan-i e ka mbyllur kampionatin në vendin e dytë, por kritikat ndaj portugezit nuk kanë munguar në këtë sezon gjatë të cilit ka munguar vazhdimësia.

Finalja e Champions League i ka dhuruar ish-yllit të Serisë A, Paolo Di Canio, një frymëzim për të folur për lojtarin e kuqezinjve në studiot e Sky, duke bërë një krahasim të pamëshirshëm me Vinicius Junior.

Braziliani ka qenë udhëheqësi i madh i Real Madrid në këtë sezon historik që u ka dhuruar madrilenëve trofeun e 15-të në Champions League.

Gjithçka ka nisur nga një paralelizëm i Fabio Capello-s, i cili ka ripërshkuar fillimet e Vinicius, ku ai ishte anarkik dhe kaotik, duke zhvendosur më pas vëmendjen te Leao.

“Leao ka nevojë për diçka ndryshe, sepse ka një potencial të madh dhe fiizikisht ndoshta ka diçka më shumë se Vinicius”, ka thënë Capello.

Më pas, siç ndodh shpes, Di Canio ka bërë një ndërhyrje të ashpër për të theksuar diferencat e mëdha që ekzistojnë mes dy lojtarëve.

Ish-lojtari i Lazio ka vënë gishtin në aspektin mendor.

“E shikoni çfarë urie dhe zemërimi që ka Vinicius? Sigurisht edhe ai ka hobi, ndoshta argëtohet me miqtë dhe do të luajë play station si djemtë e moshës së tij, por nuk nxiton në stërvitje sepse duhet të regjistrojë një këngë për tetë orë, duke i dhënë përparësi muzikës dhe jo futbollit. Është një harxhim energjish”, ka thënë Di Canio.

Në fakt, përveç karrierës si futbollist, Leao i kushton shumë vëmendje edhe pasionit të tij për muzikën, duke publikuar dy albume deri tani, “Beginning” dhe “My Life in Each Verse”.

Në këtë periudhë, portugezi do të kalojë disa orë në sallën e regjistrimit për të perfeksionuar këngët e tij.

Lojtari nuk e ka fshehur kurrë ambicien e tij të madhe edhe jashtë botës së sportit, të cilën e ka shprehur në një intervistë për Noisey Italia:

“Në shtëpinë time ka pasur gjithmonë muzikë, më pas kam filluar të shkruaj këndë dhe të bëja muzikë gjatë karantinës. Nuk kisha asgjë për të bërë, stërvitesha në shtëpi, ku kam krijuar një mini-studio. Kam filluar të provoj, të mësoj dhe ata që kisha afër më kanë thënë se ishte diçka që duhej ta çoja përpara”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit