Gabbia për Leao: Super krenar për atë që po bën, jemi gjithmonë në anën e tij

13 Nëntor 2024
8:35
Alfred Lleshi
back button

Matteo Gabbia, mbrojtësi i Milanit, foli për “SportMediaset”, duke qartësuar edhe problemin e vet muskulor: “E kam pasur këtë dëmtim, që për fat të keq më mbajti larg fushës për disa kohë. U përpoqa të punoja fort dhe të përfitoja nga kjo kohë për t’u rritur, për t’u përmirësuar, për t’u rikuperuar nga lëndimi. Le të themi se jam pothuajse gati të kthehem në skuadër dhe nga ky këndvështrim ndihem i lumtur”.

A është ndeshja ndaj Juventusit në horizontin tuaj?
Absolutisht që po. Objektivi ynë, i imi dhe i stafit mjekësor, është që të përpiqemi të jemi sa më të gatshëm për ndeshjen kundër Juventusit. Pastaj, padyshim trajneri do të vendosë se kush do të luajë.

A jeni pak të vonuar në garën për titull?
Sigurisht që duhet ende shumë kohë deri në fund të kampionatit, por nuk mendoj se kjo mund të jetë alibi apo justifikim. Natyrisht, nuk jemi të kënaqur me pikët që kemi në kampionat, siç kanë thënë tashmë shokët e mi të skuadrës, e tha edhe trajneri. Ne donim të kishim më shumë pikë në kampionat, por tani ajo që kemi bërë nuk mund të ndryshohet.

A besoni akoma te titulli?
Milani meriton të jetë një klub ambicioz, edhe ne duhet të jemi një ekip ambicioz. Sikurse e thashë më parë, kemi shumë lojtarë shumë të fortë, të vlefshëm, dhe rrjedhimisht mendoj se objektivat tona duhet të jenë maksimale. Qëllimi kur të dalim në fushë është të fitojmë çdo ndeshje, pastaj mbetet për ta parë se ku mund të mbërrijmë.

Sa ndryshim bën Leao, kur portugezi është në top-formë?
Sigurisht që vlen shumë, kur e kemi Rafa 100%. Pastaj është e qartë se çdo lojtar kalon momente pak a shumë të mira. Për fat të mirë, ato të Rafa janë shumë më të mira se ato paksa të tilla. Unë jam shumë i lumtur me atë që ka bërë tashmë. Rafa është një djalë gjithmonë i buzëqeshur, që po punon mirë. Ai mundohet të punojë shumë edhe në fazën mbrojtëse. Shoh se merr jo pak kritika, të cilat i konsideroj thashetheme, që padyshim nuk janë të këndshme. Ne e dimë se sa vlen Leao, se është një kampion i madh. Për këtë arsye e “përkëdhelim” atë, sepse e dimë se do të na kthejë shumë.

A është gjithmonë ideja për të ecur përpara me fanellën e kuqezinjve?
Agjenti im ka diskutuar për këtë me klubin. Ne po flasim, të gjithë e dinë se Milani është një ëndërr për mua. Drejtuesit e dinë se nuk jam me nxitim, se nuk kam nevojë të nënshkruaj nesër. Unë tashmë kam një kontratë gjithsesi, kështu që ndihem shumë komod. Padyshim që do të isha edhe më i lumtur me rinovimin, sepse për mua kjo fanellë është vërtet ëndërr e bërë realitet. Gjithsesi, siç thashë më parë, jam i lumtur dhe e shijoj jetën e përditshme me këtë fanellë, pa u shqetësuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit