Gati revolucioni, Milani do të rindërtohet në verë

17 Maj 2019
10:16
back button

Milani ka ende shpresa për të kapur vendin e katërt, që vlen kualifikimin në Champions League, por në muajt e fundit paraqitjet e skuadrës kuqezi kanë qenë mediokre dhe gjithnjë e më shumë është e qartë se duhet një revolucion total.

Administratori i deleguar Ivan Gazidis, në drejtim prej dhjetorit, tashmë e njeh plotësisht Milanin dhe po projekton ndryshime madhore në verë, sipas asaj që raporton sot Gazzetta dello Sport.

Revolucioni do të nisë nga kupola drejtuese dhe nga strategjitë e merkatos, sepse Gazidis ka në plan të ndërtojë një skuadër me moshë të re dhe me të rinj që mund të vlejnë shumë në të ardhmen.

Për këtë arsye, Gazidis kërkon një drejtor sportiv që të jetë shumë i zoti edhe si zbulues talentesh, një si "magjistari" i Monacos, Luis Campos, i cili pak vite më parë pasuroi klubin nga principata duke zbuluar "miniera ari" si Mbappé, Lemar, Fabinho e Bakayoko.

Natyrisht, braziliani Leonardo tashmë është nën presion të madh, sepse dështimi për të shkuar në Champions League do të peshojë direkt mbi të. Po ashtu, pa Champions Gattuso largohet, por trajneri kuqezi edhe në rast se arrihet vendi i katërt ka pak shanse të konfirmohet. Disi më i sigurt është drejtori strategjik Paolo Maldini, i cili ka në favor edhe faktin se është një legjendë e klubit dhe tifozët e duan.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit