Gattuso: Messi nuk futet dot në “kafaz”, të mos bëjmë këtë gabim ndaj Barçës

24 Shkurt 2020
13:06
Alfred Lleshi
back button

Këto janë fjalët e Gennaro Gattuso në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes Napoli-Barcelona, e vlefshme për 1/8 finale të Ligës së Kampionëve: “Unë e di që do të përballemi me një ekip të shkëlqyer. Më duhet të falënderoj djemtë dhe Ancelotti për ardhjen deri këtu, në Champions, sepse unë nuk kam bërë asgjë. Jam me fat që drejtoj një ekip si Napoli, në 1/8 finale të kësaj gare. Kemi dy ditë që punojmë me stafin tim për ndeshjen me Barcelonën. Kundërshtarit i mungojnë disa lojtarë, por me Setien po fiton sërish, e luan topin më shpejt. Nëse nuk funksionojmë mirë, rrezikojmë shumë.

Insigne? Përtej teknikës, ai ka një “motor” të rëndësishëm; mund të vrapojë deri në 12 km. E vetmja gjë për të cilën duhet të përmirësohet është konsistenca tipike e kapitenit. Pritshmëritë? Do të jem i kënaqur nëse luajmë me kokën lart, pa frikë. Ne e respektojmë kundërshtarin, por duam ta mundim atë. Kafaz për Messi? Nuk është vetëm ai te Barcelona, do të duhet të zhvillojmë një lojë të shkëlqyeshme në nivel kolektiv. Për mua, Messi është lojtari më i madh, për mënyrën si e ka jetuar karrierën e tij, një shembull për futbollin botëror. Asnjëherë, asnjë fjalë jashtë vendit. Lojtar dhe njeri i përsosur. E shoh atë të bëjë disa gjëra, që njerëzit zakonisht i bëjnë në “playstation”. Messi është më i miri i të gjitha kohërave.

Kur luaja unë kundër Barcelonës? Tani është shumë më e vështirë të përballesh me kësi ndeshjesh. Ne bënim sport tjetër, vraponim për 90 minuta, duke u përpjekur të mbyllnim linjat e Iniesta dhe Xavi. Barcelona solli një lloj të ri loje dhe kjo na ka vënë në vështirësi asokohe.

Maradona? Është perëndia e futbollit. Unë e pashë atë në videokaseta dhe në DVD. E di mirë se çfarë kampioni ishte ai. Te Messi shoh gjëra, që ai i bëri, gjithashtu. Më vjen keq që kurrë nuk kam arritur ta admiroj atë në vetën e parë.

Taktika? Ne nuk duhet të bëjmë gabimin, sikur po luajmë kundër Messit. Barcelona është i gjithë ekipi, jo një lojtar i vetëm. Ju duhet të luani dy ndeshje në një përballje të tillë: një, kur e keni topin në zotërim dhe një tjetër, kur nuk e keni atë. Tifozëria? Që kur mbërrita këtu, ndeshjet e luajtura në “San Paolo”, përveç asaj me Juventusin, kanë qenë fatkeqësi njerëzore. Unë dua mbështetje të madhe nga tifozët, ta ndihmojnë ekipin përgjatë 95 minutave. E kam studiuar ojën që aplikon Setien, që te Las Palmas, pastaj edhe Betis. Më pëlqen filozofia e tij. Kam respekt të madh për një trajner të shkëlqyer si ai, ashtu si për kulturën që Barcelona ka sjellë gjatë 25 viteve të fundit.

Lozano nuk luan? Po bëj zgjedhjet e mia, por duhet të punojë që të jetë gati. Sot për sot po kërkoj karakteristika të tjera, për këtë arsye nuk po gjen hapësirë. Si e dua Napolin? Preferoj 5 lojtarë të dobët si unë dhe 5 të tjerë si Kaká dhe Ronaldinho. Nëse 11 mbrojtës do të përballeshin me 11 sulmues, do të fitonin mbrojtësit. Sot e shoh futbollin ndryshe, më pëlqen më shumë lojtarët teknikë sesa ata si Gattuso. Në vitet e fundit vlen më shumë mendja se këmbët.

Unë gjithmonë kam pasur besim te djemtë. Në planin mbrojtës nuk kemi qenë fort mirë si ekip, kemi luajtur pa e nuhatur rrezikun. Kam dëgjuar se luajmë si provincialë, por kjo nuk duhet të ndikojë te ne. Duhet të mendojmë vetëm për t’i fituar ndeshjet. Nëse mund të fitojmë Champions-in” Kurrë mos thuaj kurrë (qesh)”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit