Gazetari nga Namibia, Sheefeni Nicodemus, iu përgjigj ashpër deklaratave të Florentino Pérez, presidentit të Real Madrid-it, i cili kritikoi sistemin e votimit për “Topin e Artë” dhe vuri në pikëpyetje rolin e gazetarëve nga vende me pak popullsi, duke përmendur specifikisht Namibinë, Ugandën, Shqipërinë dhe Finlandën.
Gjatë Asamblesë së Real Madridit, presidenti Perez tha se sistemi i votimit duhet të ndryshojë, të përfshijë vetëm persona të njohur, duke argumentuar se, nëse votat nga këto vende do të hiqeshin, Vinicius do ta kishte fituar “Topin e Artë”. Ai gjithashtu justifikoi mungesën e klubit të bardhë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve si një formë proteste.
Në emisionin “El Larguero” të “Cadena SER”, Nicodemus e quajti Florentino Pérez një person “të frustruar” dhe mbrojti të drejtën e tij për të votuar si përfaqësues nga Namibia. “Dyshoj se këto janë vetëm fjalë të dikujt që ndjen zhgënjim, si zoti Pérez. Duket se ai mendon që njerëzit nga vendi im dhe të tjerë të përmendur nuk kanë votë të rëndësishme, sepse na sheh si inferiorë”, – deklaroi gazetari.
Nicodemus shtoi: “Nëse unë do të isha nga një prej kombeve të mëdha të futbollit dhe nuk do të isha dakord me mendimin e tij, cili do të ishte argumenti i Perez?”
Gazetari namibian gjithashtu mbrojti zgjedhjet e tij për votimin e “Topit të Artë”, ku vendosi Jude Bellingham si lojtarin më të mirë të vitit, ndjekur nga Rodri dhe Lamine Yamal, pa e përfshirë Vinicius në listën e 10 më të mirëve.
Votat e gazetarëve nga Finlanda, Namibia dhe Salvadori kanë shkaktuar polemika, pasi ishin të vetmit që nuk e përfshinë Vinicius në listat e tyre për “Topin e Artë”. Megjithatë, Nicodemus theksoi se vendimet e tij bazohen në analizën e performancës së lojtarëve dhe jo në presione të jashtme.
Kjo polemikë nxjerr në pah debatin mbi përfaqësimin global në çmime si “Topi i Artë”, që synon të vlerësojë futbollin nga të gjitha perspektivat dhe rajonet, kundrejt kritikave nga ata që kërkojnë njohje më të madhe për fuqitë e mëdha të futbollit.