Giampaolo e kuoton Milanin e tij për Champions, “gradon” Piatek dhe… mbyll merkaton

24 Gusht 2019
15:20
Alfred Lleshi
back button

Ndeshja debutuese në Serie A (2019-2020) për Milanin e rinovuar të Marco Giampaolo do të jetë të dielën në Udine. Për ish-trajnerin e Sampdorias do të jetë sfida e parë zyrtare në stolin kuqezi. Duke folur në konferencën për shtyp, ai shpjegoi se si mbërrin skuadra e tij në startin e kampionatit të ri. “Ne e kemi bërë punën siç ishte planifikuar. Disa lojtarë kanë mbërritur me vonesë dhe kur afrohet fillimi i kampionatit, ngarkesat fizike zvogëlohen. Për këtë arsye, ata që janë të rinj duhet të kenë më shumë kohë në dispozicion. Me ata që u stërvitën nga fillimi i përgatitjeve kemi punuar deri në detaje, të tjerët janë pak më larg, por këto nuk janë gjëra të reja. Edhe prurjet më të fundit po përparojnë mirë.

Në përgatitjet parasezonale kemi luajtur kundër skuadrave, që aplikonin module të ndryshme. Kemi luajtur gjashtë ndeshje të ndryshme, por ato ishin të gjitha të dobishme. Ka pasur vështirësi, por e gjitha është pjesë e një rruge pune dhe mësimi. Më bën të lumtur fakti që djemtë janë të gjithë të vëmendshëm dhe më ndjekin. Ne ende mund të përmirësohemi. Është një ëndërr, një shans i shkëlqyer për mua, por edhe për lojtarët. Gjeta një ambient të jashtëzakonshëm te Milani, me kushte të shkëlqyera. Unë kam një vizion për gjërat, kam një ide se ku mund të shkoj dhe cilët janë hapat për t’u hedhur.

 Më duhet kohë për të punuar me grupin, për ta harmonizuar sa më mirë përmes lojërave. Milani do të duhet të jetë konkurrues që nesër. Ata që do të luajnë do të jenë sfidantët e vërtetë. Në futboll dëshira për të fituar është thelbësore, por nuk duhet të kalojmë përtej caqeve taktike dhe teknike. E ardhmja e Suso? Unë dhashë një mendim teknik pasi e trajnova, por futbolli nuk është vetëm kaq. Në fillim pata dyshime, por ai më dha disponibilitet të madh dhe bëri gjëra të mëdha. Lojtarët e fortë ofensivë mund të luajnë kudo. Jam i lumtur që mbeti te Milani, edhe pse merkatoja është ende e hapur.

Piatek? Ai ka karakteristika të veçanta, është një lojtar më produktiv në thellësi sesa në driblim, por nuk shqetësohem. Me një lojtar tjetër aty pranë, ai mund të marrë më pak vëmendje. Nuk i kanë munguar shanset për të shënuar gola dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Për mua është substanca e sulmit të Milanit. Ai do të luajë afër portës kundërshtare, sepse është i fortë në fazën e finalizimit. Merkatoja? Menaxherët e klubit kanë qenë të shkëlqyeshëm. Ata e dinë se cila është dinamika e një ekipi futbolli. Ne nuk po flasim për menaxherë të thjeshtë, të cilëve iu mungon vizioni teknik. Ata e dinë mirë çfarë bëjnë. 

Unë ankohem kur nuk shoh vëmendje, nuk ka pasion dhe më ofrojnë lojtarë jo të besueshëm. Kualifikimi për në Champions? Ne duam të krijojmë një pritshmëri pozitive. Nëse punoni 18 orë në ditë, nuk ka asgjë nga e cila duhet të keni frikë. Shumë ekipe po synojnë të kualifikohen në Ligën e Kampionëve, përfshirë edhe Milanin. Ne nuk mund ta bëjmë me fjalë këtë, është diçka që vendoset në fushën e lojës ditë për ditë. Situata në ekip? Më erdhi keq që humba Biglia, më pëlqen si njeri dhe lojtar, po shkonte mirë. Caldara është i dëmtuar afatgjatë, shpresoj që Hernandez dhe Reina të mund të shërohen së shpejti. Sa i përket Bonaventura, ne po e angazhojmë ngadalë.

Ekzekutuesi i penalltive te Milani? Këtë sezon do të jetë Piatek. Sezonet e kaluara ka pasur probleme, kështu që le ta sqarojmë menjëherë këtë çështje, pa nisur kampionati. Çfarë do të thotë të jesh në Milano? Është një privilegj, diçka që ndodh me pak trajnerë. Ky është një klub që ka miliona tifozë në të gjithë botën. E shkuara e lavdishme mjafton për të të kuptuar se çfarë është Milani. André Silva? Po stërvitet mirë dhe mbështetem tek ai. Është një lojtar i Milanit dhe, nëse kam nevojë për të, do të luajë nesër. Pjesa tjetër do të shihet, ndërkohë që kam besim në profesionalizmin e tij.

Objektivi? Ta fillojmë mirë kampionatin. Mund të ndodhë edhe të startojmë keq, ky është futbolli. Ne duhet t’i bëjmë vlerësimet bazuar në atë që ekziston. Ka njerëz të tjerë, që duhet ta vëzhgojnë atë që bëjmë, unë vetëm mendoj për punën, sepse ajo mund të na shtyjë së bashku përpara, edhe cilësia e lojtarëve. Por, duke qenë te Milani, lojtarët janë cilësorë. Leao dhe Duarte? Ata janë stërvitur pak, por treguan disponueshmëri. Po përpiqen të kuptojnë atë që duam prej tyre”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit