Giroud kthehet në londër si kundërshtar: Për sa kohë ndihem mirë, do të vazhdoj. Nuk kam limite, synoj gjithmonë maksimumin

5 Tetor 2022
10:00
Alfred Lleshi
back button

Ai u largua si kampion evropian nag Londra, po rikthehet si kampion i Italisë. Olivier Giroud gjen Chelsea, me të cilin kishte fituar Ligën e Kampionëve përpara se të transferohej te  Milani. Me pak fjalë, një ndeshje e veçantë për francezin, që i skadon kontrata në fund të sezonit, por konsiderohet i aftë për të vazhduar në të njëjtat nivele. Ndoshta duke e demonstruar potencialin real edhe në Kupën e Botës në Katar, ku prezantohet si kampion në fuqi.

KTHIMI NË LONDËR – “Chelsea, – shpjegon sulmuesi për ‘L’Equipe’, – është skuadra me të cilën kam fituar titujt më prestigjioz në Evropë, duke shënuar shumë gola. Fatkeqësisht nuk e fitova Premier League, por e konsideroj bilancin tim më se të kënaqshëm”.

Në Londër, Giroud kaloi më shumë se gjysmën e karrierës së tij, përpara se të zgjidhte Milanin, pasi kishte “prekur” Interin në janar të vitit 2020. Me kuqezinjtë gjithçka shkoi shumë mirë, pavarësisht moshës që mund të ishte “dredhi” për të. Megjithatë, francezi i ka të qarta idetë për të tashmen dhe të ardhmen:

“E kam thënë gjithmonë: për sa kohë të ndihem mirë fizikisht, do të synoj nivelet më të larta. Gjithmonë ka një motivim të madh në mendjen time. Para dy vitesh i thashë vetes që do të vazhdoj edhe dy vite të tjera dhe ndihem ende mirë. Në fund të sezonit e mbaroj kontratën, të shohim se çfarë do të ndodhë, por nuk vendos limite”.

DËSHIRA PËR BOTËRORIN – Plot ambicie dhe vendosmëri, Giroud analizon fillimin e sezonit: “Thonë se ai pas titullit është më i vështiri, por ne po konfirmojmë gjithçka. Pas një vere të qetë u rikuperova mirë. Kam shënuar 4 gola në 8 ndeshje të Serie A dhe një gol në Ligën e Kampionëve”.

Giroud nuk e ka vendin e garantuar me “Les Bleus” në Katar, por gjithsesi beson: “Bëra gjithçka që duhej për të qenë atje dhe me Mbappe nuk kam asnjë problem. Në fushë funksionojmë mirë mes nesh, kemi një marrëdhënie respekti reciprok dhe siç thotë Kylian, të dyve na pëlqen konkurrenca. Ne duam të fitojmë dhe kjo më pëlqen”.

Giroud është vetëm dy gola larg nga rekordi i Henry, por është gati të heqë dorë, ose pothuajse: “Më mirë të fitojmë Kupën e Botës përsëri. Pastaj, nëse mund ta barazoj apo kaloj Henry (më shumë gola me kombëtaren franceze), do të jetë një super bonus”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit